Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë ndërmarrë masa të shtuara për sigurinë e kryeministrit Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Shkup. Kryeministri, por edhe anëtarë të kabinetit të tij, nuk i mohuan raportimet për planifikim atentati dhe thanë se në ditët e fundit janë shtuar kërcënimet nga Serbia. E Shkupi zyrtar mohoi se pati tentim për atentat ndaj Kurtit
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pa shumë forca policore gjatë vizitës në Shkup, ku qëndroi të premten mbrëma dhe të shtunën. E televizioni publik në Kosovë raportoi paraprakisht se masat e rrepta të sigurisë u ndërmorën, pas informacioneve se po planifikohej një atentat ndaj tij.
Kryeministri Kurti nuk e mohoi se ka pasur përpjekje për atentat. Ai tha se ka vazhdimisht kërcënime nga Beogradi, por theksoi se nuk ndihet i rrezikuar.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesën për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë kryeministri Kurti, pas kthimit në Kosovë.
Kryeministri Kurti ka qëndruar në Shkup, ku ka marrë pjesë në një takim rajonal me udhëheqës të partive simotra, ngjarje kjo e organizuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung.
Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK) ka raportuar duke u thirrur në burime brenda institucioneve të sigurisë se ka pasur një tentativë atentati ndaj kryeministrit, “nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, theksoi në një përgjigje për KOHËN se Serbia i ka shtuar kërcënimet pas përballjes këtë javë të kryeministrit Kurtit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Këshill të Sigurisë të OKB-së.
“Nervoza në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së i ka shtuar kërcënimet dhe agresivitetin ndaj kryeministrit. Në Shkup janë parë forca të shumta të rendit. Kryeministri nuk është ndier i kërcënuar. Gjithçka ka shkuar mirë gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni të Veriut. Ai tashmë është në Kosovë dhe po vazhdon agjendën e tij”, ka thënë Kryeziu.
Por, në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut nuk folën për informacionet mbi kërcënimet potenciale ndaj kryeministrit. Megjithëkëtë, kanë thënë se nuk pati tentativë atentati.
Në këtë institucion arsyetuan masat e shtuara të sigurisë gjatë vizitës së Kurtit.
“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për atentat ndaj tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Këtë të enjte, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për herë të parë janë përballur kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq. Mbledhja është thirrur me nismë të Serbisë, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ta ndaluar dinarin serb.
Në këtë mbledhje, kryeministri e ka quajtur propagandë të rreme dramatizimin që Serbia i ka bërë çështjes së dinarit. Sipas tij, kjo po bëhet me qëllimin e nxitjes së tensioneve ndëretnike.
“Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen”, ka thënë kryeministri Kurti.
Në këtë përballje, kryeministri ka fajësuar pushtetin e Vuçiqit për frikësim edhe të serbëve të Kosovës, dhe në një moment atij i është referuar si ministër propaganda i Sllobodan Millosheviqit.