Arbëri

Tensione mes komunave e Qeverisë

Në një takim të mbyllur, shumë nga kryetarët e komunave janë ankuar për raportin e ri të krijuar midis pushtetit lokal dhe atij qendror, pas formimit të Qeverisë së re. Veçmas, ankesat lidhen me ligjet që synohet të ndryshohen, pa konsultimin e tyre. Ministria e Pushtetit Lokal ka refuzuar ta komentojë takimin.

Kryetarët e komunave kanë ardhur për një hall në Prishtinë. Shumë nga ta janë ankuar për raportin e ri të krijuar midis pushtetit lokal dhe atij qendror, pas formimit të Qeverisë së re.

Kryetarët e përbëjnë Këshillin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, e para këtij takimi ata patën shprehur kundërshtimin, që pa u konsultuar me ta, Ekzekutivi do që sivjet ta ndryshojë edhe Ligjin për vetëqeverisje lokale e edhe atë për zgjedhjet lokale.

Prandaj, në rend dite, pikë të parë patën listën e ligjeve, në hartimin e të cilave kërkojnë të jenë.

“Këtu janë evidentuar 36 projektligje që mendojmë si Asociacion të kemi përfaqësim, në kuptimin përfaqësim në grupe punuese, me qëllim të përfaqësimit sa më të mirë të Asociacionit të Komunave të Kosovës”, ka thënë Imri Ahmeti, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Me të informuar për rendin e ditës, Imri Ahmeti largoi mediat nga takimi që zgjati rreth dy orë. E, pas takimit, ai iu kundërpërgjigj akuzës së Ministrisë së Pushtetit Lokal, sipas së cilës, nëpërmjet mësymjes për t’u pyetur për ligjet, Asociacioni po përpiqet të krijojë kompetenca ekzekutive.

“Jo absolutisht. Është e padrejtë nëse ka cilësime të tilla. Në fakt Asociacioni është një organizatë që i bashkon kryetarët e komunave për të sfiduar problemet e përbashkëta që kemi. Nuk besoj që është korrekte një deklaratë e tillë”, ka thënë Ahmeti.

Fidan Kalaja, këshilltar i ministrit Elbert Krasniqi, pati lansuar akuzën për Asociacionin.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës është duke luajtur një lojë shumë të rrezikshme dhe pa vetëdije tenton të marrë kompetenca ekzekutive të Ministrisë së Pushtetit Lokal”, pati thënë ai javën e shkuar. “Kjo është lojë e rrezikshme, sepse ne e kemi luftuar një asociacion me kompetenca ekzekutive dhe jemi duke e luftuar një asociacion të tillë, ndërsa Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk është duke i ndihmuar procesit”.

Burime të KOHËS brenda takimit thanë të jenë shfaqur shumë ankesa në pushtetin e ri, si për projektet që lidhen me komunat, ashtu edhe me shpërfilljen e Asociacionit.

Vetëm 4 nga 34 kryetarët e komunave që përbëjnë Asociacionin u takojnë partive që tash e përbëjnë pushtetin: tre janë të Vetëvendosjes dhe një i përket komunitetit turk.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili i takon Vetëvendosjes, shtron nevojën të mos politizohet raporti në mes të pushtetit lokal e atij qendror.

“Asociacioni duhet ta kryejë punën e vet në kuptim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve, por jo në kuptim të mbrojtjes së interesit politik. Dhe, unë besoj dhe shpresoj shumë dhe pres që të gjithë kryetarët e komunave brenda këtij Asociacioni të reflektojnë në interes të qytetarëve e jo në interes politik”, ka thënë Bulliqi.

Në Ministrinë e Pushtetit Lokal nuk kanë komentuar mbi këtë takim, dhe as mbi shqetësimet e shprehura nga kryetarët.

E, kryetari Imri Ahmeti ka thënë se një letër i ka mbërritur atij nga ministri Elbert Krasniqi.

“Unë sot kam marrë një shkresë zyrtare prej ministrit Elbert Krasniqi, i cili i drejtohet Asociacionit të Komunave, që do të jetë i gatshëm dhe të bashkëpunojë për të gjitha projektligjet të cilat do të deprimojnë nga MAPL-ja”, ka thënë ai.