Arbëri

Tenderi për mirëmbajtjen e urave u planifikua për 500 mijë, u paguan 5 milionë euro

E dyshimtë është mënyra se si Ministria e Infrastrukturës ka shpenzuar 5 milionë e 300 mijë euro për tenderin për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës 2017-2019. Ka hapur tender në vlerë të 500 mijë eurove, por ka paguar 5 milionë e 375 mijë euro

Procedurë e pazakontë dhe e dyshimtë prokurimi është zbatuar tre vjet më parë në Ministrinë e Infrastrukturës në tenderin “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës 2017-2019”.

Në gushtin e vitit 2017, në njoftimin për hapjen e tenderit, vlera totale e parashikuar ishte 500 mijë euro, kontrata është nënshkruar për vlerën 432 mijë euro, ndërsa kompanisë i janë paguar 5 milionë e 375 mijë euro.

Proceduralisht, një praktikë e tillë është e pazakontë.

Para se të hapet një proces i prokurimit, institucioni, në këtë rast Ministria e Infrastrukturës, është dashur të nënshkruajë deklaratë të disponueshmerisë së mjeteve, me të cilën tregon sa para ka në dispozicion, dhe të njëjtën t’ia dorëzojë Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Në këtë deklaratë institucioni ka thënë se i ka në dispozicion 500 mijë euro për këtë tender. Kjo dëshmohet në njoftimin për hapje të tenderit, ku thuhet se vlera totale është gjysmë milioni euro.

Një gjë e tillë parashihet në Ligjin për Prokurim Publik.

“Deklarata e tillë e nevojave dhe vendosshmërisë për disponueshëmrinë e fondeve do t’i përmbajë informatat në vijim: (i) një deklaratë të nevojave me shkrim, e cila i përmbledh rezultatet e vlerësimit të nevojave që është bërë nga autoriteti kontraktues sipas paragrafit 1. të këtij neni, (ii) një deklaratë me shkrim që konfirmon disponueshmërinë e fondeve, që demonstron se autoriteti kontraktues i ka përmbushur obligimet e tij sipas paragrafit 2. të këtij neni”, thuhet në këtë ligj.

KOHA i ka drejtuar pyetje Ministrisë se Infrastrukturës qe dy ditë. Ndonëse ministria nuk ka kthyer përgjigje zyrtare, nga burimet e saj në administratë gazeta ka siguruar një draft-përgjigje që nuk është përcjellë nga Zyra e Mediave te gazetarja.

“Deklarata e nevojave dhe disponueshmerisë në vlerë prej 500 mijë eurove”, thuhet në këtë draft-përgjigje.

Pas një procesi të gjatë, është nënshkruar kontrata në vlerë mbi 4 milionë euro, ndonëse në buxhet në vitin 2017 kanë qenë të parapara për këtë projekt vetëm 200 mijë euro, e në vitin 2018 rreth 300 mijë euro.

Ligjërisht, edhe nëse tenderi është i hapur, në këtë rrethanë bëhet ndërprerja e aktivitetit të prokurimit, edhe nëse është në proces e sipër.

“Autoriteti kontraktues mund ta përfundojë atë aktivitet të prokurimit, i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: shkelja e ligjit aktual ka ndodhur apo do të ndodhë në procedurën e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit, duke përfshirë edhe rastet ku një dispozitë e këtij ligji kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit; të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurim”, thuhet në Ligjin e Prokurimit Publik.

Kompania, me nënshkrimin e kontratës, është e obliguar që si sigurim financiar ta deponojë vlerën prej 10 për qind nga totali i kontratës. Ka deponuar 30 mijë euro, vlerë e cila nuk përputhet me 10-përqindëshin e shumës që e ka paguar Ministria e Infrastrukturës.

Kjo thuhet edhe në draft-përgjigje.

“Sigurimi i ekzekutimit të kontratës është në vlerë prej 10 për qind të vlerës së kontratës, ose 30 mijë euro”, thuhet aty.

Por, ligjërisht kjo nuk do të duhej të ishte e mundur për shumën që është paguar.

Një gjë e tillë përcaktohet në Ligjin e Prokurimit Publik.

“Autoriteti kontraktues do të sigurojë që shuma e çfarëdo sigurie të ekzekutimit që kërkohet nga paragrafi 1. i këtij neni: (i) të jetë e barabartë me së paku dhjetë për qind (10%) të vlerës së kontratës dhe (ii) përndryshe është vendosur në një nivel që është në përputhshmëri me praktikat e zakonshme publike dhe afariste të aplikueshme ndaj llojit të veçantë dhe lëndës së kontratës përkatëse”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 63 të LPP-së.

Nuk dihet se si pagesat kanë arritur vlerën e 5 milionë eurove, e as nga cilat kategori financiare janë kryer. Por, është konfirmuar kjo vlerë në draft-përgjigjen që gazeta e ka siguruar në rrugë jozyrtare.

“Pagesa është në vlerë të 4 milionë e 352 mijë eurove, ndërsa shuma e paguar sipas kartelës financiare është 5 milionë e 375 mijë euro”, thuhet në këtë përgjigje.

Fitues i këtij tenderi, sipas të njëjtës përgjigje, është operatori “Famis”.

Në një bisedë të shkurtër telefonike, drejtori i kësaj kompanie, Bekim Bytyqi, ka dhënë version tjetër.

“Kontrata nuk ka qenë 500 mijë euro, por 4 milionë e 352 mijë euro. Ndoshta 500 mijë euro ka qenë një njësi”, ka thënë ai. Por, në dosjen e tenderit askund nuk thuhet që bëhet fjalë për njësi.

Situatë e ngjashme ka ndodhur edhe më herët në të njëjtën ministri.

KOHA në fillim të javës ka raportuar se tre persona kanë përfunduar në aktakuzë për shkak të dyshimeve për keqpërdorim në tenderin për dislokimin e varrezave të vjetra në autostradën “Arbën Xhaferi”. Tenderi i nënshkruar në vitin 2016 kishte vlerën e 66 mijë eurove, ndërsa nga buxheti dy vjet më vonë janë paguar mbi 800 mijë euro. Prokuroria Speciale ka njoftuar për ngritjen e kësaj aktakuze, por nuk ka dhënë detaje. Por, siç është informuar KOHA, bëhet fjalë për aktakuzat e ngritura ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, Besim Tahiri e Gëzim Osmani, si dhe Hajredin Hajrës, pronarit të “Eurokod-it”, kompanisë që ishte angazhuar për zhvendosjen e varrezave.

Ministria e Infrastrukturës është kampione me zyrtarë me aktakuza. Një pjesë e madhe e zyrtarëve që kanë pozita drejtuese në këtë institucion ose po përballen me akuza për korrupsion, ose janë nën hetime për të njëjtat dyshime. Tre sekretarët paraprakë të kësaj ministrie kanë aktakuza. Aktakuzë ka edhe menaxheri i prokurimit, ndërsa i dënuar për korrupsion është ish-shefi i prokurimit i këtij institucioni, por që është kthyer në këtë institucion me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.