Arbëri

Tenderi për aviobileta kthehet në rivlerësim shkaku i dyshimeve për çmimet

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka gjetur shkelje në një proces prokurimi, i cili e kishte shpallur fituese një kompani për t’ua siguruar institucioneve 12 mijë e 500 aviobileta në tre vjetët e ardhshëm. Ka ndodhur kjo pas raportimit të KOHËS se fituese ishte shpallur një ofertë me çmim jonormalisht të ulët, e cila krijon mundësinë për manipulim me çmime gjatë zbatimit të kontratës. Pas vendimit të OSHP-së, ky aktivitet prokurimi është kthyer në rivlerësim

Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka kthyer në rivlerësim tenderin për aviobileta në vlerë prej pesë milionë eurosh, pas raportimit të KOHËS se oferta e fituesit krijonte rrethanën për manipulim me çmime gjatë zbatimit të kontratës.

Bazuar në dosjen e tenderit, kompanitë nuk mund të bëjnë tregti me 12,500 aviobiletat për të cilat do të lidhet kontrata. Ato do të duhej të ofertonin me çmimin për tarifën e shërbimit, që është e njëjtë për secilën biletë që e blejnë dhe ua ofrojnë institucioneve.

Agjencia Qendrore e Prokurimit e kishte shpallur fituese Altavia Travelin, oferta e së cilës ishte vetëm 6 centë për një aviobiletë. Ndërkaq, shkaku i kostove gjatë zbatimit të kontratës, ofertat e kompanive të tjera ishin deri në 250 fish më të mëdha. Malësia Reisen kishte ofertuar 4.20 euro për biletë dhe nga kontrata mund të siguronte 52,500.00 euro; Air Munich kishte ofertuar 4.30 euro për biletë, e shuma e tërësishme e kontratës ia sillte asaj 53,750.00 euro, ndërsa Eurokoha kishte ofertën 15.00 euro për biletë, që në kumulativ i bie 187,500.00 euro për 12,500 aviobiletat për të cilat është shpallur tenderi.

Tek i ka krahasuar ofertat e tjera me të fituesit, Gjykata e Tenderëve ka konsideruar se “këto çmime në shërbim të operatorëve ekonomikë kanë një mospërputhje të madhe, gjë që paraqet çmime jo të rregullta”. Prandaj, e ka kthyer në rivlerësim këtë aktivitet prokurimi.

Në institucionin që i ka udhëhequr procedurat e prokurimit kanë thënë se së shpejti do ta kryejnë rivlerësimin.

“Besojmë që rivlerësimi do të përfundojë këtë javë”, thuhet në një përgjigje të shkruar. “Pas përfundimit të rivlerësimit, vendimi do të publikohet në platformën elektronike të prokurimit publik.”

Oferta e kompanisë fituese Altavia Travel tregon se nga kontrata 5-milionëshe i siguron vetëm 750 euro. E, me to nuk mund ta mbulojë as koston e pagës së muajit të parë, nga diku 36 sish, për tre të punësuar që kërkohen.

Në këtë kompani kanë insistuar se kontratën do të mund ta zbatonin me këtë çmim, pa argumentuar se si.

“Segmentet dhe incentivat të cilat do t’i ketë kompania jonë me nënshkrimin e kontratës me AQP-në, jo vetëm që do t’i mbulojnë shpenzimet e sigurimit të ofertës, shpenzimet e sigurimit të ekzekutimit të kontratës dhe shpenzime të tjera që kanë të bëjnë me rezervimin dhe shitjen e 12,500 biletave, por edhe do të kemi një fitim solid për ruajtjen e likuiditetit financiar të kompanisë”, ka thënë Naime Abdulla, zyrtare e kompanisë.

Vite më herët, Altavia Travel ishte pjesë e një konsorciumi fitues për shërbime të transportit ajror. Edhe atëkohë, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte konstatuar se bëhej fjalë për çmim jonormalisht të ulët dhe kishte shprehur alarmin se kompanitë fitimin do të synonin ta nxirrnin gjatë zbatimit të kontratës, nëpërmjet manipulimit me çmimin e biletave.

Deri në fundvit, e kontraktuar për këto shërbime është Malësia Reisen. KOHA raportoi në shtator se për më shumë se 2,200 bileta, institucionet kanë paguar mbi një milion euro, pa pranuar nga kjo kompani dëshmi të besueshme që tregojnë nëse çmimi i tyre ishte real ose nëse biletat ishin shfrytëzuar vërtet ose jo.