Arbëri

Televizionet, 700 mijë euro borxhe ndaj KPM-së

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere është dashur të paraqiten të mërkurën përfaqësues të tri institucioneve të pavarura. Por, aty kanë qenë vetëm ata të Komisionit të Pavarur për Media. Deputetet e pushtetit e kanë kritikuar KPM-në për mosinkasim të borxheve, e për pasojë nuk ia kanë miratuar raportin vjetor financiar. Vlera e borxheve që mediat televizive i kanë KPM-së është 700 mijë euro

Vlera e borxheve të mediave televizive ndaj Komisionit të Pavarur për Media (KPM) është rreth 700 mijë euro. Kjo ka bërë që Komisioni parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, të martën, të mos e miratojë raportin vjetor financiar të këtij institucioni.

Gjatë shqyrtimit të raportit, deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) e kanë quajtur papërgjegjësi të KPM-së mosinakasim e borxheve.

Deputeti i kësaj partie në pushtet, Visar Korenica, ka thënë se mosinkasimi i borxheve është katastrofik.

“Nëse marrim shembull këto televizione që kanë përfitime marramendëse, atyre iu vazhdohen licencat dhe nuk i kryejnë obligimet. Jo vetëm ju, por edhe ne si Komision këtu, do të ishte e pa drejtë ndaj qytetarëve të lejojmë që kjo gjendje të vazhdojë. Për mua kjo gjendje është katastrofike. Dhe më tepër ju nuk po tregoni as edhe shifrat minimale se çka keni arritur si rezultat, përveç inicimeve të rasteve në përmbarim për inkasimin e këtyre borxheve”, është shprehur Korenica.

Shkaku i kësaj, ku ligjvënës ka thënë se kolegët e partisë që i përket nuk do ta mbështesin raportin vjetor të KPM-së.

Gjatë raportimit, zëvendëskryeshefi i KPM-së, Faruk Rexhaj, ka thënë se duke marrë parasysh gjendjen financiare të mediave, të cilën e ka kualifikuar si të rëndë, e po kështu edhe ndikimin e pandemisë në të ardhurat e tyre, çdo veprim i KPM-së do të rezultonte i dëmshëm në stabilitetin financiar të mediave në Kosovë.

“KPM ka vlerësuar se duhet gjetur një zgjidhje në mes të inkasimit të borxheve nga mediat dhe ruajtjes së tregut medial në Kosovë. Qysh e dimë, ekziston një numër i mediave që nuk arrijnë t’i kryejnë obligimet e tyre financiar ndaj KPM-së dhe se ndërprerja e licenca të gjitha këtyre mediave do të rrezikonte të drejtën e informimit të qytetarëve në Kosovë. Si institucion kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për inkasimin e këtyre mjeteve, duke i dërguar të gjitha lëndët te përmbaruesi privat”, ka theksuar Rexhaj.

Mbledhja e Komisionit ka nisur me 40 minuta vonesë, si pasojë e mungesë së kryetarit, deputetit të LVV-së, Armend Muja.

Mungesa e tij është kritikuar nga zëvendëskryetari, deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Mergim Lushtaku, i cili ka kryesuar një pjesë të mbledhjes, derisa ka ardhur Muja.

“Me keqardhje duhet deklaruar që nuk është hera e parë që kryetari po vonohet, por ne si Komision duhet të vazhdojmë me punën tonë”, është shprehur ky deputet i partisë kryesore në opozitë.

Ndërkaq, në mungesë të guvernatorit, Fehmi Mehemti, Komisioni nuk ka shqyrtuar raportin vjetor financiar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Deputeti Lushtaku ka thënë se Mehmeti i ka njoftuar se nuk do të mund të marrë pjesë në mbledhje për shkaqe shëndetësore dhe ka shtuar se do të kishte dëshirë që të kërkonte një raport mjekësor nga ai.

“Edhe vetë kam qenë i interesuar shumë për të dëgjuar raportin e BQK-së. Ne ngremë shqetësimin tonë, por nuk kemi mundësi të kërkojmë ndonjë raport mjekësor të guvernatorit dhe të anëtarëve të tjerë. Me dëshirën më të madhe kisha kërkuar edhe një raport mjekësor, por gjithsesi ju besojmë fjalëve të tyre”, ka deklaruar Lushtaku.

Për të raportuar në mbledhje nuk kanë shkuar as drejtuesit e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Në mungesë të tyre, ligjvënësit e këtij Komisioni nuk e kanë shqyrtuar raportin vjetor të këtij institucioni.