Bllokimi i llogarive nga përmbaruesi privat ia ka pamundësuar Telekomit shlyerjen e detyrimeve ndaj furnitorëve për gjatë dy javëve të fundit. Po ashtu, në emër të borxhit prej 5.7 milionë eurove ndaj Z-Mobile, nga arka e Telekomit janë tërhequr 400 mijë euro. Zyrtarët Telekomit akuzojnë përmbaruesin se po vepron në kundërshtim me vendimin e Gjykatës
Bllokimi i llogarive në emër të borxhit prej 5.7 milionë euro ndaj Z-Mobile ka bërë që Telekomi i Kosovës të mos mund të paguajë asnjë obligim ndaj furnitorëve, përgjatë dy javëve të fundit. Që nga bllokimi i llogarive nga arka e ndërmarrjes janë tërhequr afro 400 mijë euro. Sipas Telekomit, përmbaruesi nuk ka respektuar vendimin e Gjykatës Komerciale që kishte lënë në fuqi marrëveshjen sipas së cilës pagesa e borxhit të bëhej me këste.
“Përmbaruesi duke vepruar në kundërshtimin me vendimin e Gjykatës në bazë të të cilit ka bllokuar llogaritë, nuk e ka tërhequr shumën e plotë të këstit të 15-të, edhe pse në llogaritë e bllokuara të Telekomit ka mjaftueshëm mjete sa për të tërhequr këtë këst”, thuhet në përgjigje të kësaj ndërmarrje për KOHËN.
Me këto pretendime, Telekomi ka bërë të ditur se ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj përmbaruesit Irfan Kërçagu, e po ashtu se i është drejtuar Gjykatës për trajtimin e parregullsive, që sipas ndërmarrjes publike, përmbaruesi i ka bërë gjatë ekzekutimit të vendimit gjyqësor.
KOHA ka kontaktuar përmbaruesin Kërçagu, por ai nuk është përgjigjur gjatë së hënës.
Përveç procedurave disiplinore ndaj përmbaruesit, Telekomi ka bërë ankesë edhe në shkallën e dytë ndaj vendimit në bazë të të cilit janë bllokuar llogaritë. Në ankesë është kërkuar që të interpretohet drejt vendimit të Gjykatës Komerciale, duke përmbaruar vetëm shumën e këstit në përputhje me detyrimin e ri prej mbi 5.7 milionë eurosh, apo 10 këste në vlerë prej mbi 573 mijë eurosh.
“Më datë 17 nëntor 2020, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon.Net L.L.C. kanë nënshkruar Marrëveshje për pagesën me 24 këste të detyrimit që ishte caktuar në Vendimin e gjykatës që atë kohë ishte në fuqi (Vendim i cili më vonë është anuluar nga Gjykata e Apelit duke vepruar sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese). Deri në Vendimin për anulim ishin paguar 14 këste nga 750,000.00 euro dhe kishin mbetur edhe 10 këste të tjera (pra edhe 7,500,000.00 euro)”, ka bërë të ditur Telekomi.
Me vendimin e Komerciales, ndërmarrja kishte shpëtuar 1.6 milion euro, por më pas ishte obliguar që të paguante shumë tjetër prej 5.7 milionësh, për çka po kundërshtohet nga Telekomi.
Deri më tani Telekomi ka paguar mbi 40 milionë euro borxh ndaj Z-Mobile në emër të dy vendimeve të Arbitrazhit. Llogaritet se Z-Mobile ka përfituar edhe mbi 102 milionë euro të tjera nga kontrata Telekomin e Kosovës.
Telekomi ka kritikuar Komercialen për vendimin e fundit, duke thënë se i hap rrugë një përmbaruesi tjetër për të vazhduar me veprime të jashtëligjshme për përvetësim të parasë publike.
“Kjo, për bindjen tonë bëhet me qëllim që pronarëve të Dardafon.net L.L.C. përmes bizneseve të tjera t’u mundësojë që në bashkëpunim me partnerë nga vendet jo mike, që nuk e njohin Republikën e Kosovës, të sfidojnë konkurrencën në treg. Marrëveshjet e fundit mes këtyre bizneseve tregojnë qartë përpjekjen për të monopolizuar tregun e telefonisë fikse, internetit dhe përmbajtjes televizive në Kosovë. Kjo për bindjen tonë rrezikon jo vetëm të drejtat e qytetarëve, por edhe sigurinë e vendit”, thuhet në reagimin e Telekomit.
Telekomi përmend edhe rrezikimin e investimeve në modernizimin e rrjetit mobil e fiks, si dhe të marrëveshjeve të tjera biznesore të arritura viteve të fundit.
Vendimi i Komerciales lidhet me kontestin që mori epilog në Arbitrazh. Deri më tani, Telekomi ia ka paguar “Z-Mobile” 40 milionë euro në emër të dy proceseve të Arbitrazhit, një më 2016, dhe një tjetër për mosvazhdimin e kontratës, më 2019.
Kjo nuk është hera e parë që Telekomit i bllokohen llogaritë, shkaku i borxhit ndaj kompanisë “Z-Mobile”.