Arbëri

Telekomi braktis qiratë e shtrenjta

Rreth 30 mijë euro pritet që t’i kursejë secilin muaj Telekomi i Kosovës nga qiraja që paguante për dy objekte, njërin në sheshin “Nëna Terezë” dhe tjetrin te pjesa e kryeqytetit që njihet si “Qafa”. Pas skadimit të kontratave disavjeçare, kjo ndërmarrje do të zhvendoset në objekte të tjera. E vetëm për njërin lokal, Telekomi nga viti 2015 ka paguar rreth 3 milionë euro. Pas marrjes së këtyre objekteve me qira është raportuar për lidhjen e dyshimtë të pronarëve me njerëz të politikës

Pas tetë vjetësh, Telekomi i Kosovës është zhvendosur nga lokali në sheshin “Nëna Terezë” të Prishtinës, për të cilin ka shpenzuar miliona euro në qira.

Afro 3 milionë euro ka paguar Telekomi për shfrytëzim të këtij objekti me qira që nga viti 2015.

Kontrata ka skaduar muajin e kaluar dhe nuk është vazhduar tutje.

Bazuar në të dhënat e siguruara nga KOHA, kontrata e parë ishte nënshkruar në maj të vitit 2015 me kohëzgjatje prej 5 vjetësh.

Vetëm 6 muaj më vonë, asaj i është shtuar një aneks, në të cilin përfshihet nënkulmi dhe shtohet edhe shuma e qirasë dhe tre vjet më shumë kohëzgjatje.

KOHA më 2018 pati raportuar se Telekomi i kishte paguar avans “Savinja Skupina Kosovo”, kompani kjo, që bazuar në të dhënat e ARBK-së, është pronë e Ganimete Sadikajt.

Pas marrjes së objekteve me qira u raportua për lidhjen e dyshimtë të pronarëve me njerëz të politikës. Për të njëjtin objekt pati përplasje midis Sami Lushtakut të PDK-së e Taip Sadikajt me ish-gjyqtarin Sami Gërdovci.

Dy nëpunës të Gjykatës Komunale të Prishtinës asokohe kishin për detyrë të ekzekutonin vendimin e Gjykatës Komunale të Prishtinës që i njihte Bratisllav Millenkoviqin e Jovica Simiqin për pronarë të objektit, për çka ekziston edhe një aktgjykimin i datës 26 tetor 2007.

Bazuar në këtë aktgjykim, Gjykata konkludoi se ekzistojnë dëshmi bindëse që Lushtaku e Sadikaj përdorën kërcënime serioze për të detyruar personat zyrtarë që të mos e ekzekutojnë vendimin gjyqësor.

Lushtaku është dënuar me burgim prej katër muajsh me kusht për këtë rast, ndërsa Sadikajt i është shqiptuar vërejtje gjyqësore.

Pronarja aktuale e këtij lokali, Ganimete Sadikaj, e kishte parashtruar në komunë kërkesën për renovim të objektit bashkë me Taip Sadikajn, i cili së bashku me Sami Lushtakun kishin penguar zbatimin e vendimit gjyqësor për këtë lokal.

Por, burime të KOHËS kanë bërë të ditur se kompania tashmë është mbyllur dhe lokali është blerë nga dikush tjetër, për identitetin e të cilit nuk është në dijeni.

Tashmë Telekomi ka marrë një objekt tjetër me qira në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të cilin do të paguajë më pak qira, sesa që paguante paraprakisht.

Kjo ndërmarrje tashmë është gati për t’u zhvendosur edhe tek objekti tjetër te “Qafa”.

Burime të KOHËS thonë se nga qiraja për këto dy objekte Telekomi do të kursejë rreth 30 mijë euro në muaj.

KOHA pati raportuar në maj të 2021 se bordi i ri i emëruar në atë kohë po shqyrton edhe kontratat me qira.

“Ka kontrata që bordi ka kërkuar sqarime, ka kontrata në raport me qiranë, sidomos ato që janë me interes strategjik për ndërmarrjen, siç është objekti në shesh dhe ai te ‘Qafa’, menaxhmenti ka dhënë sqarime dhe në momentin që janë dhënë sqarimet dhe janë bërë matjet, ka dalë që vlera për metra katrorë është diku 7 euro për metër katror dhe që është nëse flasim për metra katrorë në qendër të Prishtinës, ky është një çmim ideal me atë që merr Telekomi”, ishte thënë në një përgjigje të Telekomit.

E në Ministrinë e Ekonomisë patën thënë se pas emërimit të bordit, ai ka për detyrë edhe shqyrtimin e kontratave apo marrëveshjeve të cilat ndikojnë në afarizëm. Sipas saj, Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve do të monitorojë për së afërmi punën e bordit në ruajtjen e aseteve të Telekomit dhe në mbrojtjen e interesit publik.