Kur kanë mbetur edhe disa ditë që mësimi tërëditor të fillojë edhe në tri shkolla në kryeqytet, ende mungon inventari dhe finalizimi i hapësirave për kuzhina. Në shkollën “Xhemail Mustafa” ende nuk ka punime për rregullimin e kuzhinës, e në shkollën “Nazim Gafurri” është vendosur vetëm themeli i aneksit të kuzhinës modulare. Por, udhëheqës të shkollave thonë se gjithçka është duke shkuar sipas planifikimeve
“Nga shtatori i këtij viti, kryeqyteti do të fillojë me reformë me mësim tërëditor, duke filluar me pesë shkolla”, pati premtuar Jehona Lushaku-Sadriu, nënkryetare e Komunës së Prishtinës, e cila e ushtron edhe detyrën e drejtoreshës së Arsimit në këtë komunë.
Premtimi i dhënë në gusht ndryshoi në ditën e parë të vitit të ri shkollor. Fillimi i mësimit tërëditor u reduktua në dy shkolla.
E nënkryetarja Lushaku-Sadriu, tha se ky ishte plani që nga fillimi, që nxënësit e dy shkollave të fillojnë më 2 shtator, ndërsa në tri të tjera më 30 shtator.
Por, kur kanë mbetur edhe dy javë që mësimi tërëditor të fillojë edhe në shkollat “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa” dhe “Nazim Gafurri”, në to ende mungon inventari dhe finalizimi i hapësirave për kuzhina.
Në shkollën “Xhemail Mustafa” ende janë duke u zhvilluar punimet për rregullimin e kuzhinës, e në shkollën “Nazim Gafurri” është vendosur vetëm themeli i aneksit të kuzhinës modulare.
Drejtoresha e shkollës “Nazim Gafurri”, Ardianë Makolli, tha se gjithçka është duke shkuar sipas planifikimeve.
“Shkolla jonë që nga muaji shtator ka filluar me mësimin bazë. Fillon prej klasave 1-5, prej tetë të mëngjesit deri në orën 12:20. Janë duke u bërë përgatitjet sa i përket kuzhinës, e cila është ndërtuar e re dhe janë duke u bërë përgatitjet e fundit dhe po shpresojmë që nga fundi i muajit do të fillojmë edhe me aktivitet ekstra-kurrikulare. Këto aktivitete do të kenë lidhshmëri që një formë do të jetë forcim i kurrikulës bazë, i mësimit të rregullt kurrikular”, ka thënë Makolli.
Mësimi tërëditor ka filluar të implementohet në shkollën “Qamil Batalli” dhe në “Shkollën e Gjelbër”, objektet e të cilave ishin të përshtatshme.
Procesi mësimor është paraparë të fillojë nga ora 7:45 dhe të përfundojë në 15:45.
Mësimi tërëditor në Prishtinë pati filluar edhe 9 vjet më parë, por pati dështuar në mungesë të kushteve infrastrukturore.