Arbëri

Tekstet e reja shkollore si të vjetrat, me gabime metodologjike, përmbajtjesore e teknike

Me fjalë të panjohura, përsëritje, gabime dhe pasaktësi të shumta, po ballafaqohen nxënësit e klasës së 7-të, me librin e ri të historisë.

Ky libër pothuajse në tërësi është kopje e librit paraprak, përveçqë kanë ndryshuar autorët, raporton KTV.

Veç kësaj, përmbajtja e këtij botimi të ri të historisë ka mospërputhje të mëdha me plan-programin mësimor.

Krejt këto mangësi ka arritur t’i identifikojë Xhemajl Halili, i cili është mësimdhënës i historisë.

Jo vetëm libri i historisë ka lëshime të tilla.

Edhe në tekstet e tjera shkollore, ndonëse janë botime të reja, janë evidentuar gabime metodologjike, përmbajtjesore dhe teknike.

Kështu, tentimi i Ministrisë së Arsimit, që kishte ndërhyrë në librat e vjetër shkaku i shqetësimeve të shumta të paraqitura nga nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit, për të botuar tekste të reja ka dështuar, vlerësojnë anëtarë të shoqërisë civile, të cilët përcjellin gjendjen në arsim.

Në Ministrinë e Arsimit thonë se këto tekste për një vit do të jenë në fazën e pilotimit dhe e pranojnë se mund të ketë pasur sërish lëshime në përmbajtje.

Megjithatë, sipas anëtarit të Këshillit për tekstet shkollore, Agim Bërdynaj, mësimdhënësit kanë mundësinë përmes formularëve të cilët tashmë janë dërguar nëpër shkolla, t’i shprehin vërejtjet e tyre të cilat pastaj do t’u dërgohen shtëpive botuese për të ndërhyrë.

Sipas Bërdnyjat, deri më tani asnjë ankesë me vërejtjet lidhur me përmbajtën e teksteve të reja shkollore nuk ka arritur në adresë të këtij këshilli.

Por, në shkollën “Qamil Batalli”, mësimdhënësi i historisë mohon të kenë pranuar formularë të tillë nga Ministria.