Arbëri

Teknikët s’pranojnë të përgatisin terapi për kancer: S’jemi të përgatitur

Stafi i teknikëve farmaceutikë në Klinikën e Onkologjisë po refuzon ta zbatojë një vendim të marrë së fundi nga ushtruesi i detyrës së drejtorit në QKUK, Osman Hajdari. Me të, teknikët e farmacisë detyrohen të kryejnë punën e infermierëve në përgatitjen e terapisë së citostatikëve, që u jepen pacientëve për mjekimin e tumoreve. Teknikët arsyetohen se nuk janë të përgatitur për një gjë të tillë

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, ka marrë vendim, me të cilin i obligon teknikët e farmacisë të bëjnë përgatitjen e terapisë së citostatikëve, edhe pse ata nuk kanë shkollim adekuat për këtë detyrë.

Kjo terapi u jepet pacientëve me kancer, e cila është tejet e kushtueshme.

Deri më tani këtë terapi e kishin përgatitur infermierët, por me vendimin e fundit të drejtorit Hajdari, të nënshkruar më 23 shtator, obligohen që këtë punë ta kryejnë teknikët.

Vendimi nuk është zbatuar, pasi stafi i teknikëve farmaceutikë në Klinikën e Onkologjisë ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë me arsyetimin se nuk janë të thirrur për këtë gjë.

Në ankesën që kanë bërë, theksohet se ata personalisht nuk janë njoftuar me kohë dhe se i prek përgjegjësitë e tyre, për të cilat ata thonë se nuk janë të thirrur t’i kryejnë.

KOHA ka folur me disa prej teknikëve, por ata nuk kanë pranuar të deklarohen publikisht me arsyetimin se administrata mund t’i ndëshkojë.

Por kanë thënë se ky vendim ua shkel të drejtat.

“Emaili në fjalë i referohet vendimit të datës 18.09.2024, të nxjerrë nga U.D. drejtori i QKUK-së, me numër protokolli 7125 (në tekstin e mëtejmë vendimi i QKUK-së). Vendimi në fjalë, edhe pse i nxjerrë më 13.9.2024, i njëjti nuk na u është dorëzuar asnjëherë neve personalisht, edhe përkundër faktit që prek drejtpërsëdrejti në të drejtat tona kontraktuale dhe ndryshon në punë”, thuhet në ankesën e bërë nga stafi i teknikëve të farmacisë.

Teknikët nuk kanë gjetur mbështetje as nga shefja e tyre, Dardane Mehaj, e cila është edhe drejtoreshë e Barnatores Qendrore.

Ajo përmes një e-maili i është drejtuar stafit, duke i urdhëruar që ta zbatojnë vendimin e Hajdarit.

“Ashtu siç jeni njoftuar me shkrim nga Drejtoria e QKUK-së, është marrë një vendim që procesi i përgatitjes së terapisë së citostatikëve të jetë në kompetencën e Barnatores së Klinikës së Onkologjisë. Ne e kemi në konsideratë që ky vendim nuk mund të aplikohet menjëherë, pasi nuk keni trajnimet adekuate, e po ashtu nuk e keni bërë këtë detyrë më herët. Prandaj ne do të kujdesemi bashkërisht dhe të shqyrtojmë mundësitë që ky proces të fillojë sa më parë”, thuhet në e-mailin që Mehaj ua ka nisur teknikëve të farmacisë.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje edhe nga Mehaj në lidhje me këtë çështje, mirëpo ajo nuk është përgjigjur.

E ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, i kontaktuar nga KOHA, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje.

Vendimi, të cilin e ka marrë Hajdari, ua rrit përgjegjësinë teknikëve, por jo edhe pagën.