Të pabazë dhe pa të drejtë ligjore po e konsiderojnë vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë një grup i nxënësve, kandidat për pranim në fakultetin e mjekësisë së përgjithshme.
Ky grup i nxënësve protestoi para zyrës së KShC-së për vendimin që kjo e fundit mori lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit për shtimin e numrit të studentëve në këtë drejtim.
Vlera Halili, nxënëse kandidate për drejtimin, mjekësi e përgjithshme, tha se nxënësit nuk kanë qenë të informuar se mbi çka është bazuar KShC-ja kur ka marrë këtë vendim.
Vendimi i marrë nga Ministria e Arsimit para një muaji, parashihte që numri i studentëve të mjekësisë së përgjithshme të rritet edhe për 75 vende të tjera, duke çuar numrin nga 150 në 225.
Vendim ky që nuk u aprovua nga KShC-ja.
Derisa, sipas kandidates Halili, ky vendim është i patolerueshëm për ta duke pasur parasysh edhe numrin e vogël të mjekëve në vendin tonë.
E, shqetësimin e njëjtë me Vlera Halilin e kanë edhe nxënësit e tjerë, duke shtuar se ky vendim i KSHC-së i lë ata pa një zgjidhje.
Televizioni gjatë ditës ka kontaktuar kryetarin e KSHC-së, Gazmend Lubotenin, dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, por asnjëri nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërsa, nxënësit paralajmëruan se, në fillim të javës tjetër, do të mbajnë grevë urie para zyrës së KSHC-së nëse numri i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë nuk rritet.