As pas pesë votimesh, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë kryetarin e ri. Deputetja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk siguroi numrin e nevojshëm të votave në seancën e së dielës, duke vazhduar bllokadën institucionale që nga 15 prilli. Partitë kanë akuzuar njëra-tjetrën për bllokadë e seanca e ardhshme është thirrur për 29 prill
Rezultat të njëjtë ka prodhuar edhe seanca plenare e së dielës, si gjashtë të tjerat të mbajtura brenda 12 ditëve.
Të zgjedhurit e popullit nuk e zgjodhën as kësaj here kryetarin e Kuvendit duke bërë që të vazhdohet bllokada për konstituimin e Kuvendit
Ashtu si edhe herëve të tjera, ish-kryekuvendari, Glauk Konjufca, në emër të partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje, për pasardhëse të tij në postin e kreut të Parlamentit propozoi deputeten Albulena Haxhiu.
“Lëvizja Vetëvendosje sërish e propozon zonjën Albulena Haxhiu për kryetare të kuvendit. I nderuari kryesues kërkoi që ta vendosni në votim këtë propozim, kurse juve të nderuar kolegë ju kërkoj që ta mbështesni me votën tuaj zonjën Haxhiu”, ka thënë Konjufca.
Ky ishte votimi i 5-të në të cilin deputetes Haxhiu po i mungojnë katër vota për t’u bërë kryekuvendare.
Në përpjekjen e së dielës, 57 deputetë votuan pro zgjedhjes së saj. Votat për, ajo i mori nga deputetët e Vetëvendosjes 48, dhe 9 nga pakicat.
Kundër votuan 41 deputetë, ata të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës, abstenuan 3 deputetët e Nismës, e 8 mandatarë të Listës Serbe sa ishin në sallë nuk morën pjesë fare në votim.
11 deputetë nuk shkuan në seancë, ndër ta katër të LDK-së, tre të PDK-së, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, një deputet i LS-së, deputeti i JGP-së, Adem Hoxha si dhe deputetja e SDU-së, Duda Balje.
Pas votimit, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i ndërpreu punimet.
“Konstatoj se deputetja e propozuar për kryetare të Kuvendit nuk i ka marrë votat dhe e ndërpresim seancën. Shihemi me 29 prill në orën 10:00”, është shprehur Dehari.
Seanca konstituive e Kuvendit është e para që mbahet pas zgjedhjeve.
Ajo ka katër pika të rendit të ditës: Formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve të Deputetëve; Betimin e deputetëve; Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit si dhe Zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Më 15 prill, kur filloi përpjekja për konstituim, nuk u përmbush as pika e parë, pasi shumica e deputetëve nuk votuan për verifikimin e mandateve.
Pas katër ditësh, më 19 prill, Kuvendi u zhbllokua, pika e parë kaloi, deputetët pastaj dolën në pikën tjetër, u betuan.
Po atë mbledhje deputetja Haxhiu u propozua dy herë, e zgjedhja e saj dështoi.
Sikurse dështoi edhe herëve të tjera kur u propozua.
Pas mbledhjes të së dielës, partitë politike shfrytëzuan foltoren e improvizuar në hollin e Kuvendit për të akuzuar njëra-tjetrën për bllokim të Kuvendit.
Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se i takon ekskluzivisht partisë së parë ta japë propozimin e saj për kryetar të Kuvendit dhe partitë deri më herët në opozitë duhet ta mbështesin shkaku i aktgjykimit të Kushtetueses të vitit 2014 që e përcaktoi se vetëm partisë së parë i takon ta propozojë kandidatin për kryetar.
Vetë LVV-ja ka votuar kundër kandidaturës së Kadri Veselit më 2017.
Murati ka thënë se ndryshe nga atëherë, pozita e kryetarit nuk është pjesë e një marrëveshjeje politike.
“Ne jemi shumë parimorë. Ne nuk e kemi votuar më 2014-ën sepse siç e dini ka qenë një koalicion VLAN që në atë kohë kishte dështuar pikërisht për shkak të Gjykatës Kushtetuese, kurse më vonë, pozita e kryetarit të Kuvendit ka qenë pjesë e negociatave të koalicioneve fituese të zgjedhjeve që e kanë futur si pjesë të diskutimin mes koalicionit qeverisës, pra është votuar në të njëjtën ditë edhe kryetari i Kuvendit edhe Qeveria”, ka thënë Murati.
Murati nuk ofroi alternativë të re, përveç se u bëri thirrje PDK-së dhe LDK-së që ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, si dhe u premtoi se nëse e votojnë, LVV-ja do t’ua votojë edhe nënkryetarët.
“Janë të gjitha partitë parlamentare që kanë fituar ulëse në Kuvend e kanë përgjegjësi që të votojnë për konstituimin e Kuvendit dhe kjo çështje duhet të rregullohet dhe të zgjidhet brenda për brenda Kuvendit, kur vijmë te qeveria pastaj, te koalicioni që formon Qeverinë aty mund të ketë diskutime jashtë Kuvendit të cilat të bëhen konsultimet”, ka thënë ai.
E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, insistoi se LVV-ja nuk i ka numrat për Qeverinë, andaj sipas tij, nuk po e zhbllokon ngërçin duke e ndryshuar propozimin për kryetare të Kuvendit.
Krasniqi ka thënë se nuk janë të hapur për konsultime, por nuk e përjashtojnë mundësinë për të marrë pjesë në to nëse për ato i mban presidentja Vjosa Osmani.
Megjithatë, ka insistuar se kandidatura e Haxhiut duhet të hiqet nga rendi i ditës.
“Pse është ky insistim për të bllokuar. Po është e qartë. S’ka vota për Albin Kurtin kryeministër dhe kjo është arsyeja pse po e mban peng”, ka thënë Krasniqi. “Kjo është mungesë totale e përgjegjësisë, qytetarët kanë votuar për të ardhur e të diskutuar për tema që iu interesojnë atyre. Unë do të doja që sa më shpejt të kalonim në hapat e zgjedhjes së qeverisë. Qeveria nuk ka legjitimitet. Bllokada këtu më shumë se për Albulena Haxhiun është për Albin Kurtin, sepse Albin Kurti nuk po mund të bëhet kryeministër. Duke mos dashur të bllokohet tek emri i tij, e sakrifikon Albulena Haxhiun. Por, kështu po e bllokon edhe shtetin e qytetarët duke na lënë pa institucione legjitime. Nuk ka nevojë për takime në këtë fazë, vetëm duhet ta ndryshojnë kandidatin. Nuk mbahet shteti peng për një njeri, cilido qoftë ai apo ajo”.
Qëndrimin e njëjtë të partisë e përsëriti edhe Hykmete Bajrami e LDK-së, e cila theksoi po ashtu se LVV-ja nuk i ka numrat për ta formuar Qeverinë, andaj, sipas saj, nuk do që ta zhbllokojë Kuvendin me kandidaturë të re.
Bajrami ka thënë se nuk kanë votë për asnjë kandidat të Vetëvendosjes.
“Në të kaluarën gjithmonë ato votat për Qeverinë janë shfrytëzuar edhe për votimin e kryetarit të Kuvendit kështu që situata është e qartë: këta nuk kanë vota as për Qeveri e as për kryeparlamentar domethënë thjesht duhet të ulen të kenë marrëveshje politike sepse nuk mund të imponosh votë në asnjë mënyrë. Nuk mund t’iu tregosh prapë deputetëve se si të votojnë për një kandidat të caktuar”, ka thënë Bajrami.
E pyetur gjatë deklarimit për medie nëse opozita do t’i ketë votat për formimin e Qeverisë, Bajrami është shprehur se është shumë herët që të flitet për këtë çështje.
“Për votat e opozitës do të flasim në momentin kur bëhet konstituimi i Kuvendit, kur kalon 15 ditshi që i takon partisë së parë dhe mandej e shohim”, ka shtuar ajo.
Qëndrimet e saj i përsëriti edhe AAK-ja, që kërkoi që të ndryshohet kandidatja e LVV-së për kryekuvendar.
“Po të kishte lëvizje apo mund, ndoshta do të mund të siguronte të paktën një votë, por po shihet se rezultati po përsëritet dhe po mendoj se qëllimshëm po e bën. Duke e pa se Haxhiu s’i ka votat, po e përsërisin, edhe pse partitë kanë thënë se po të ketë propozime të tjera mund të votohen”, ka thënë deputetja Time Kadrijaj.
E të pakënaqur me zvarritjen e konstituimit u shprehën deputeti i LDK-së Arben Gashi e edhe deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha.
“Pres që të gjitha partitë politike, duke filluar nga LVV-ja të bëhen më të përgjegjshme dhe të bëjnë një zgjidhje”, ka thënë Gashi.
“Derisa nuk ka marrëveshje po mendoj të mos vij më”, ka shtuar Veton Berisha, deputet i PLE-së.
Të dielën u votua për herë të pestë kundër propozimit të LVV-së për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të Kuvendit, ndërkohë që kjo ishte përpjekja e shtatë për konstituim të Kuvendit.
Që nga 19 prilli kur u zhbllokua kalimi i raportit të komisionit për verifikim të mandateve dhe betimi i deputetëve, kanë mbetur edhe dy pika për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit: zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve.