Arbëri

Të rinjtë kërkojnë rrugë të largohen nga vendi

Në muajt e fundit është shtuar interesimi i të rinjve për të shkuar jashtë vendit, duke i njohur diplomat dhe duke kërkuar punë përmes profesioneve të ndryshme në rrugë legale. Vetëm në 2 muajt e parë të këtij viti “Naric Kosova” ua ka validuar diplomat mbi 953 të rinjve, me qëllim të përdorimit jashtë vendit. Interesimin e madh për të mësuar gjuhën dhe për të aftësuar për profesione të ndryshme e konfirmojnë edhe në kompani që merren me këtë çështje

Prishtinë, 12 shkurt - 6.102 të rinj që i kanë përfunduar studimet ose shkollën e mesme vitin e kaluar i kanë validuar diplomat në qendrën “Naric Kosova” me qëllim të përdorimit jashtë vendit për punësim ose vazhdim të studimeve. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti “Naric” ka validuar 953 diploma.

Ndërkohë në Universitetin e Prishtinës këtë vit janë mbi 2 mijë e 600 studentë më pak sesa vitin e kaluar.

Gjatë vitit 2020, sipas Rektoratit të UP-së, 1.044 studentë i kanë braktisur studimet kryesisht në Fakultetin Ekonomik, atë të Shkencave Matematike-Natyrore dhe të Filologjisë, ku njëra ndër arsyet është transferimi jashtë Kosovës. Sipas drejtuesve të fakulteteve, shteti do të duhej të brengosej për këtë fenomen.

“Ikja e trurit është një prej problemeve që shoqëritë në Perëndim i kanë kushtuar vëmendje kaherë e janë brengosur, e ne ende nuk brengosemi, mirëpo besoj që ata që dalin jashtë e përfaqësojnë edhe Fakultetin Ekonomik, por edhe Kosovën në mënyrën më të mirë. Truri është kah ikë, është e vërtetë, e tash është çështje, veç çka bën shoqëria për atë trurin tonë, qysh me e majtë këtu, nëse s’ka mundësi perspektive edhe qysh me kthye këtu nëse prapë s’mundesh me i ofrua diçka”, thotë dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj.

Në kompaninë “Interpersonnel Kosova”, që merret me aftësimin dhe punësimin e të rinjve me kontrata të përhershme pune në vendet e BE-së, thonë se janë shtuar kërkesat këtë vit.

Drejtori i saj, Musa Ahmeti, tregon se aktualisht i kanë rreth 1.200 studentë që po aftësohen dhe po kryejnë kurse me qëllim të shkuarjes në Gjermani, derisa së shpejti do të ofrojnë mundësi punësimi edhe për Zvicër, Suedi e Norvegji.

“Në ditë aplikojnë më shumë se 25 persona, ka edhe 30, edhe 12, por aplikimi mesatar është më shumë se 30 persona që aplikojnë, të cilët ftohen në intervistë, udhëzohen që të sjellin dokumentacionin e tyre dhe ky numër përbën një rritje prej 40 për qind në krahasim me vitin e kaluar që janë të interesuar për të shkuar dhe punuar në Gjermani, në rrugë ligjore, punë zyrtare sipas kërkesave dhe pritshmërive të tyre”, thotë Ahmeti.

Ambasada Gjermane përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se nuk ka të dhëna rreth numrit të kërkesave për njohje të diplomave në Gjermani, meqë kërkesat e tilla parashtrohen drejtpërdrejt tek zyrat përkatëse në këtë shtet.

Sipas përgjigjes, gjatë vitit 2020 kjo ambasadë ka lëshuar rreth 200 viza për studim dhe kurse të gjuhës në Gjermani.