Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, pritet që më 20 dhjetor, të premten, të mbajnë një seancë të përbashkët, ku ndër të tjerë deputetëve pritet t'u adresohen edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama.
Seanca është caktuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, që është mbajtur të hënën.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në agjendën e këtij takimi do të jetë adresimi i dy kryetarëve të kuvendeve, dy kryeministrave dhe shefave të grupeve parlamentare.
Ajo ka thënë se nga Kuvendi i Shqipërisë pritet të vinë rreth 60 deputetë.
Kusari-Lila ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë është diskutuar edhe për mbajtjen e një seance për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ajo ka deklaruar se si Grup Parlamentar e kanë konfirmimin e deputetëve “që kanë vendosur që të mos kandidojnë që do të marrin pjesë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare” dhe se për këtë seancë presin edhe konfirmimin e partive të tjera.
“Mbeti të shihet gatishmëria e deputetëve në përgjithësi, e opozitës në veçanti për votim”, është shprehur Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Vendimet e administratës së re amerikane duhet parë në frymën e bashkëpunimit, jo të kundërshtisë
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se vendimet e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duhet të shihen në frymën e bashkëpunimit dhe jo të kundërshtisë.
Kështu u shpreh ajo në adresimin për medie pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, derisa u pyet lidhur me detyrën e re të Richard Grenellit në administratën Trump.
Ajo ka shtuar se është e nevojshme vazhdimësia e projekteve prej atyre ushtarake, deri te zhvillimet diplomatike.
“Vendimet e presidentit janë vendime që duhet shikuar hapat përpara në frymën e bashkëpunimit, e jo në frymën e kundërshtisë. Partneriteti, vazhdimësia e projekteve prej atyre ushtarake deri këto zhvillimore e diplomatike janë të një rëndësie të veçantë”, ka thënë ajo.