Arbëri

Të pastrehët e pandemisë

Për një vit fushatë, kryesore në botë ishte thirrja për t’u izoluar në shtëpi për shkak të rrezikut nga virusi COVID-19, pandemi e shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Por kjo nuk vlen për shumë familje nga komunitetet joshumicë që kanë mungesë strehimi e detyrohen të jetojnë në objekte të papërshtatshme, ku mungojnë kushtet elementare. Në hulumtimin e realizuar nga KOHA, në periudhën prej gjashtë muajsh, janë identifikuar problemet me strehim të këtij komuniteti dhe masat e ndërmarra nga institucionet gjatë pandemisë. Po ashtu janë sjellë modele të suksesshme që janë aplikuar në vendet e tjera gjatë pandemisë për adresimin e kësaj problematike

Është gjashtëvjeçare dhe pas i shkon babait duke mbajtur në duar grumbuj drunjsh, të cilët i ofron pranë stufës që veç ka marrë flakë, në një ditë të ftohtë shkurti. Pesë fëmijët e tjerë ngrohin duart pranë zjarrit. Është kjo rutina e përditshme që bën kryefamiljari Shpejtim Hamza në shtëpinë e improvizuar prej materialeve të ndryshme pranë objektit të rrumbullakët të betonit që më herët ka qenë thertore kafshësh.

“Para dy vjetëve një fëmijë më ka vdekur nga i ftohti. Problem me e ngrohë venin kur gjithkah është çelë. Sa herë bie shi e borë, na hyn brenda”, e nis rrëfimin Shpejtimi, teksa tregon shtojcat prej druri që u ka vendosur dyerve e dritareve për ta ndalur të ftohtin. Gati i ka bërë edhe disa kova që presin shiun nga kulmi që pikon.

Bashkëshortja e Shpejtimit ndodhet në punë. Asaj i ka rënë barra të sigurojë ushqimin për familjen për shkak të problemeve shëndetësore të burrit.

Qe 30 vjet familja Hamza ballafaqohet me mungesë strehimi.

Nuk është pronë e tij as shtëpia ku jeton aktualisht në lagjen 29 të Fushë-Kosovës, e cila popullohet nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Do t’i duhet ta lirojë brenda muajsh pasi pronari i tokës planifikon ta rrafshojë atë.

“Me qira kam jetuar gjithë kohën. Për shkak të mungesës së kushteve nuk kam mund me pagu më, edhe kam ardhur këtu. Pronari i këtij vendi ma ka lëshuar përkohësisht deri ta bëjë një zgjidhje”, shprehet Shpejtimi.

“Më kanë thënë në mars më së largu duhet me liru vendin”.

Shpejtimi thotë se nuk ka lënë derë pa trokitur përfshirë edhe komunën për t’i ndihmuar në gjetjen e strehimit. Falë angazhimit të komunitetit ku jeton, Shpejtimi Hamzës muaj më parë i është blerë një parcelë në lagjen Plemetin, Obiliq.

Iniciativa nga komuniteti

Shaqir Berisha e njeh gjendjen e secilës familje të lagjeve 28 dhe 29. Pandemia ia ka shtuar angazhimin për t’i ndihmuar të pastrehët.

“Më së keqi Shpejtim Hamza i ka punët në Fushë-Kosovë. Qe tre muaj jemi tu u mundu me i bë zgjidhje. Kemi mbledhë para me ia ble dy ari në Plemetin. Atje ma lirë toka, këtu shtrenjtë katër deri pesë mijë euro po shkon. Me mund dy dhoma e një banjo me ia nxjerr. Kemi blerë zall për me ia nis temelit të shtëpisë. Për tjera s’kemi njëherë”, thotë Shaqir Berisha, me profesion muzikant.

Brenda perimetrit prej 2 kilometrave ndodhen lagjet 28 dhe 29 të Fushë-Kosovës ku ndodhen disa familje me mungesë strehimi dhe që jetojnë në kushte të vështira. Në hulumtimin e realizuar nga KOHA, në periudhën prej gjashtë muajsh, janë identifikuar problemet me strehim të këtij komuniteti dhe masat e ndërmarra nga institucionet gjatë pandemisë. Po ashtu janë sjellë modele të suksesshme që janë aplikuar në vendet e tjera gjatë pandemisë, për adresimin e kësaj problematike.

Në objektin gati të rrënuar pranë hekurudhës jeton familja treanëtarëshe e Shemsi Rrustemit.

“Qe pesë vjet jetoj këtu. Deri më 3 mars na kanë thanë me u largu se është tokë e komunës. S’di kah shkojmë, kah me ia mbajtë. Tokë nuk kam kurrkund se ndoshta me ndihma ma kishin ndërtu një shtëpi”, thotë Rrustemi, teksa tregon vrimat e mbyllura nëpër shtëpi me rroba për ta penguar futjen e minjve në dhomën e vetme ku jeton me gruan dhe vajzën pesëvjeçare. Ndërkaq idaren për familje e siguron duke mbledhur kënaçe.

Ai shton se ka kërkuar ndihmë nga komuna që t’i bëjë strehë diku, por që deri më tani pa sukses.

Zyrtarë të Komunës së Fushë - Kosovës kanë sqaruar situatën në lidhje me këto familje.

Zëdhënësi Ali Topalli thotë se edhe më herët kanë pasur raste si këto familje që janë vendosur në objektet e hekurudhës. Atyre u është bërë zgjidhje me ndërtim të shtëpive në prona private.

“Por si duket disa familje po vendosen në ato objekte me qëllim se do të përfitojnë në ndërtim të shtëpisë. Vlen të ceket se familjet e mëhershme nuk kanë qenë banorë të Fushë-Kosovës por kanë ardhur nga komuna e tjera. Ndërsa për familjet e lartcekura me keqardhje nuk kam informata të sakta se nga kanë ardhur, qe sa kohë dhe nga cila komunë, sepse nuk kanë bërë kërkesë zyrtare për strehim”, ka thënë Topalli.

Ai shton se në vitin 2020 kanë pranuar 43 kërkesa për strehim, dy prej tyre për shkak të situatës me COVID -19. Ndërkaq 13 kërkesa të tjera janë aprovuar për strehim për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

“Janë vendosur në banesa për periudhën 3-mujore (kërkesat e pandemisë), ndërsa ato të gjendjes ekonomike dhe të strehimit për periudhën njëvjeçare. Mënyra e financimit bëhet nga Komuna, gjegjësisht Drejtoria e Shëndetësisë, bazuar në Ligjin mbi programin e financimit të bonus-banimit”, ka theksuar Topalli.

Shtëpi vetëm për ata që kanë toka

Image

Përveç Komunës, me çështjen e strehimit për komunitetet pakicë është marrë edhe niveli qendror, krahas donacioneve nga organizata joqeveritare. Megjithëse familjet Hamza dhe Rrustemi nuk janë në mesin e përfituesve, Ministria e Punës dhe Mirëqenies është duke implementuar projektin për ndërtimin e 283 shtëpive në tërë Kosovën, 20 prej tyre në Fushë- Kosovë. Por përfitues janë vetëm ata që kanë toka private. Menaxher i këtij projekti është Bashkim Krasniqi, njëherësh zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ai thotë se në vitin 2021 janë paraparë 2.5 milionë euro për ndërtimin e shtëpive për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

“Problemin kryesor e kemi se shumica e të pastrehëve nuk kanë prona në emër të tyre. Qeveria por as Komuna nuk kanë mundësi me ble edhe pronën. Ndërsa ata që kanë tokën, ne iu ndihmojmë edhe pse kërkesat janë të mëdha”, thotë ai, teksa shton se një pjesë e shtëpive të ndërtuara pritet t’u ndahen përfituesve në pjesën e parë të vitit 2021.

Sipas regjistrimit të fundit në vitin 2011, Komuna e Fushë-Kosovës ka 34 mijë e 827 banorë, nga të cilët 436 janë romë, 3 mijë e 230 janë ashkalinj dhe 282 egjiptianë. Që nga 31 dhjetori 2018, sipas vlerësimeve, janë 1 mijë e 50 romë, mbi 4 mijë ashkalinj dhe mbi 500 egjiptianë.

Zgjidhje afatshkurtra

Strehimi i njerëzve në nevojë në kohë krize të shëndetit publik në shumë vende u konsiderua nevojë emergjente. Kjo bëri që të largohen pengesat duke vendosur rregulla të reja, të cilat në kushte normale do të pengonin përparimin në adresimin e problemit të strehimit. Një gjë e tillë u dëshmua edhe në modelin e aplikuar për të pastrehët në shtetin e Kalifornisë, ShBA. Burimet publike dhe ato private u bënë bashkë për ta shpejtuar nxjerrjen e të pastrehëve nga rruga.

Kjo ka krijuar shpresën tek të pastrehët që banimi mund të zgjatet edhe pasi të mbarojë pandemia.

Pas shfaqjes së rasteve të para me COVID 19, Kalifornia nisi planin për transferimin e rreth 6 mijë të pastrehëve në 40 qendra të komunitetit lokal, të shndërruara në strehimore. Zona të tilla u pajisën me tualete dhe hapësira për pastrim të duarve. Pas mbushjes së qendrave kolektive, në prill të vitit 2020 Kalifornia nisi projektin e përkohshëm “Roomkey”, një bashkëpunim mes Shtetit dhe Autoritetit të Shërbimeve Publike për të pastrehët në Kaliforni. Shteti lidhi marrëveshje të përkohshme me hotelet për një periudhë tremujore, me mundësi të zgjatjes gjatë pandemisë. Më shumë se 14 mijë të pastrehë përfituan nga ky projekt.

Ndërkaq në terma afatgjatë është duke u zhvilluar një plan gjithëpërfshirës, në mënyrë që të pastrehët të mos kthehen në rrugë pasi kriza me COVID-19 të ketë përfunduar.

Gary Painter është profesor dhe ekspert i çështjes së të pastrehëve i cili ka publikuar një sërë hulumtimesh në katalogun e Universitetit të Kalifornisë Jugore, Los Anxhelos.

Teksa i është referuar modelit të Kalifornisë, ai thotë për KOHËN se kriza me pandeminë eliminoi barrierat të cilat normalisht do të pengonin përparimin.

janë rritur, rregullativa ligjore është lehtësuar dhe moratoriumet e dëbimeve janë shpresëdhënëse për të pastrehët në implementimin e programeve edhe pas mbarimit të pandemisë”, thotë ai. “Duhet modifikuar politikat ekzistuese në sigurimin e lehtësimeve shtesë për të pasur sukses dhe të sigurohemi që përgjigjja e politikës ndaj COVID-19 të jetë në funksion të uljes së numrit të pastrehëve dhe atyre që rrezikojnë të bien në këtë kategori”.

Sipas Painter, mbledhja e të dhënave për këtë kategori të njerëzve mund të jetë e dobishme në planin afatgjatë, në mënyrë që të krijohen programe për strehim të qëndrueshëm.

Pjesën e dytë të hulumtimit mund ta lexoni nesër në orën 10:00