Mbi pesë orë diskutime ka zhvilluar organi më i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, mbrëmjen e së mërkurës.
Brenda mbledhjes me dyer të mbyllura të Këshillit Drejtues të partisë nga dy anëtarë u kërkua edhe shkarkimi i kryesisë, e cila në fund nuk u miratua.
Por, Lirak Çelaj thotë se kjo kërkesë do të merrte mbështetje më të madhe sikur të mundësohej votimi i fshehtë.
“Kam kërkuar që të mundësohet që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë duke ditur që ka njerëz që hezitojnë, natyrisht ata u janë shmangur votimit të fshehtë. Po të ishin aq të guximshëm ata do të votonin që të futej në rend të ditës dhe të jetë votim i fshehtë nëse do të ishin të sigurt që e kanë përkrahjen e shumicës, por ata e kanë frikën dhe e dinë që nuk e kanë përkrahjen e shumicës, prandaj u munduan ta qesin vetëm shkel e shko në mungesë të kuorumit”, ka deklaruar Çelaj.
Çelaj është i bindur që partia nuk mund të reformohet pa dhënë përgjegjësi anëtarët e kryesisë, të cilët i sheh si përgjegjës për rezultatin e dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Anëtarja tjetër e Këshillit Drejtues, Xhevahire Izmaku, thotë se nuk do të heqin dorë nga tentimet për ndryshime në hierarkinë udhëheqëse.
“Nuk mendoj që vetëm me disa dokumente mundet PDK-ja ta gjejë rrugën, pra mendoj që duhet reformë pak më e thellë që ndoshta ka nevojë edhe për proces të ri zgjedhor që nuk fillon dhe nuk mbaron në hierarkinë më të lartë por niset prej strukturave më të ulëta”, është shprehur Izmaku.
Pas mbledhjes së Këshillit, kreu në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se Çelaj e Izmaku nuk gëzojnë përkrahjen e shumicës.
Përbërja aktuale e kryesisë së PDK-së është zgjedhur pas zgjedhjeve të 2019-s, ku PDK-ja u radhit partia e tretë me 21.23 për qind të votave. Kurse në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti kjo parti doli e dyta, por shënoi rënie duke marrë 17 për qind.