Arbëri

Të mërkurën u realizuan 22 fluturime drejt vendeve evropiane

aeroporti

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari"

Në ditën e tretë të hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për kosovarët, nga aeroporti “Adem Jashari” janë realizuar 22 fluturime në drejtim të vendeve evropiane, kryesisht në Gjermani e Zvicër. Qytetarë që shfrytëzuan të drejtën e udhëtimit pa viza u shprehën të lumtur që më nuk u duhet të presin para ambasadave. Krahas me aeroplanë, shumë prej tyre kanë udhëtuar edhe me vetura e autobusë. E kjo ka krijuar edhe tollovi e pritje nëpër pika tokësore kufitare

22 fluturime në drejtim të vendeve evropiane janë realizuar të mërkurën nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, në ditën e tretë të hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Pjesa më e madhe e këtyre fluturimeve, për destinacion patën qytetet e Gjermanisë dhe të Zvicrës.

E disa nga qytetarët që e shfrytëzuan të drejtën për udhëtim veç me pasaportë në shtetet e zonës Schengen u shprehën të lumtur që më nuk u duhet të presin para ambasadave për t’u pajisur me viza.

“Hera e parë që po shkoj në Zvicër te djali, 90-vjeçar edhe tri ditë i bëj 90 vjeç. Jemi të gëzuar. Faleminderit që e kanë ba këtë t’shkuar të lirë, me shkua të familja. Ishallah i gjejmë shëndosh, ishallah shkojmë mirë. Krejt kush niset atje, këtyre udhëve”, ka thënë Shaqir Begu, udhëtar.

“Po ndihemi mirë se na e kemi pas pak ma problem me shkua deri tash. U dashke me nxjerr viza anej, me u maltretua në tana anët. Po tash shyqyr na u ba kjo liri me shkua lirshëm edhe jam t’u shkua te djemtë për vizitë, i kemi familjen atje. Kam qejf me shkua me i pa, ata po dëshirojnë. Kështu që na u ka mundësua kjo punë, e mirëseardhur shumë”, ka thënë Gani Bytyçi, udhëtar.

Mes udhëtarëve pati edhe mërgimtarë që po ktheheshin në vendet ku jetojnë, pasi i kaluan pushimet e fundvitit në Kosovë. Disa prej tyre u shprehën të gatshëm të presin mysafirë e familjarë nga Kosova, tash pas liberalizimit.

“Po, me siguri se po, presim mysafirë, mirë se vijnë. Ne jemi shumë të gëzuar që janë liberalizua këto viza, njerëzit mund të ecin lirishëm si çdo qytetar i Evropës. Është mirë edhe për ne të dalim, ta shijojmë Evropën se edhe ne jemi evropianë”, ka thënë Januz Hajrullahu, udhëtar.

Krahas aeroportit të Prishtinës, kosovarët i shfrytëzuan edhe pikat tokësore kufitare për udhëtime drejt shteteve evropiane. Sipas të dhënave, deri në orën 16:00 të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, pritjet për dalje nga Kosova në pikëkalimin kufitar në Merdar kanë qenë deri në dy orë e gjysmë, ndërsa te Dheu i Bardhë më shumë se një orë.

E në pikat e tjera kufitare, pasdite nuk ka pasur pritje, kurse në orët e paradites pritje pati edhe në Jarinjë.