Më 26 shtator të vitit 1998, 24 anëtarë të familjes Deliu nga Abria e Epërme e Drenasit, ishin vrarë nga forcat serbe. S’u kursyen as foshnje gjashtëjavëshe.
Trupat e pajetë në malin në Abri të Epërme u lanë për tri ditë, derisa Bashkim Deliu rrëfen për tmerrin e asaj kohe.
Ishte vetëm 19-vjeçar kur pa vdekjen e të afërmve të tij nga forcat serbe, raporton KOHA.
Mes emocionesh rrëfejnë ato pak momente që mbajnë mend dhe mënyrën se si i shpëtuan vdekjes edhe Liridona e Arlinda Deliu.
Familja Deliu ishte strehuar në mal mëngjesin e hershëm të 25 shtatorit, për t’u shpëtuar sulmeve serbe.
Mëngjesin e 26 shtatorit aty kishte depërtuar këmbësoria serbe, ku edhe kishte kryer krimet makabre.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, duke e kujtuar këtë masakër, ka thënë se vendi pagoi shtrenjtë okupimin, me spastrim etnik e shkatërrim.
“Ata ishin të pafajshëm, por askush nuk u dënua për vrasjen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë pranë familjeve që humbën të dashurit, e do të kërkojmë drejtësi deri në njeriun e fundit”, ka shkruar ai.