Të mbijetuarit e masakrës së Reçakut prej vitesh po kërkojnë nga institucionet lokale dhe qendrore që të finalizohen punimet e muralit në pjesën e epërme të kompleksit dhe të ndërtohet rruga që çon te vendi i masakrës. Po ashtu kërkojnë edhe që kompleksi të ketë mirëmbajtje të përhershme. Në Komunën e Shtimes thonë se për këtë, përgjegjëse është Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale
Pa mirëmbajtje e me mbishkrime të dëmtuara të varreve, kompleksi memorial i Reçakut tash e 20 vjet nuk është finalizuar.
Të mbijetuar të masakrës së Reçakut kërkojnë nga institucionet lokale dhe qendrore t’i përfundojnë punimet në vendin ku prehen trupat e 45 të vrarëve nga forcat serbe më 15 janar 1999.
Thonë se kanë adresuar kërkesa të shumta nëpër institucione, por deri më tash, sipas tyre, nuk janë shqyrtuar ato. Kërkojnë edhe rregullimin e rrugës që çon te vendi i masakrës.
“Ne nuk e meritojmë kështu, por ne meritojmë shumë e më shumë që të rregullohet kompleksi, sepse kjo masakër është bërë dhe sot po e gëzojmë lirinë. Këtu është derdhur gjak dhe falë kësaj masakre ka ardhur edhe liria, mirëpo presim më shumë nga kryeministri i Republikës së Kosovës që ta marrë këtë kërkesë parasysh”, ka thënë Albert Imeri, i mbijetuar i Masakrës së Reçakut.
“Prej 20 vjetësh shihen muret që nuk kanë përfunduar dhe nuk kanë përfunduar as rrugët. Këtu ka shumë punime që nuk kanë përfunduar, andaj bëjmë apel te kryeministri dhe te Qeveria jonë që sa më shpejt të finalizohen këto punime një herë e përgjithmonë”, ka thënë Ramë Shabani, i mbijetuar i Masakrës së Reçakut.
Në Komunën e Shtimes theksojnë se kompetente për investime është Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale.
“Te pjesa e muraleve, ne jemi në koordinim të plotë me Agjencinë e Memorialëve dhe me drejtorin e ri dhe ata kanë projekte të reja për çdo vit për kompleksin e Reçakut. Ka projekte edhe për kodrën e “Bebushit” dhe për pjesën e moralit po besoj se gjatë 2024-tës të dyja këto do të rregullohen”, ka deklaruar Grejtalb Emini, drejtor për Urbanizëm në Shtime.
Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES për këtë çështje.