Raporti i përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave, pritet të dorëzohet këtë të martë. Në Qeveri janë shprehur skeptikë se raporti do të jetë në favor të Kosovës, duke e fajësuar qasjen e Borrellit. Ndërsa njohësit e çështjeve politike kanë fajësuar veprimet e Qeverisë
Raporti i përfaqësuesit të lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave ndaj saj, pritet të dorëzohet të martën, ka mësuar KOHA nga burimet e saj në Bruksel.
Raporti që do të dorëzohet javën e ardhshme, sipas korrespodentit të KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, pritet që të përfshijë rekomandimet për heqje graduale të disa prej masave të vendosura nga Bashkimi Evropian qershorin e vitit të shkuar.
“Pritjet e diplomatëve evropianë janë që raporti të jetë objektiv dhe që Borrell së paku të rekomandojë heqjen graduale të disa masave nëse jo të të gjitha masave”, ka thënë Palokaj. Sipas tij, ka drojë se Borrell mund të shfrytëzojë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, sidomos ato që kanë të bëjnë me mbylljen e zyrave të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë, për të penguar heqjen e masave.
“Mund ta përdorë këtë për të mos hequr masat ndaj Kosovës, apo për të mos i hequr disa prej tyre”, ka thënë Palokaj.
Në Qeveri nuk janë optimistë se raporti i Borrellit do të jetë pozitiv për Kosovën, duke e kritikuar qëndrimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së.
Në një intervistë për KosovaPress, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka vlerësuar se Borrelli ka qëndrim joparimor ndaj Kosovës.
“Joparimor ka qenë qëndrimi i Borrellit në përgjithësi ndaj temave mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk është se kam pritje të larta në hapat e fundit që mund dhe duhet të ndërmerren. Ato masa kanë qenë objekt i një negocimi të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, me emisarin Miroslav Lajçakun në Bratislavë...Jo vetëm që janë përmbushur ato pesë pika për të cilat janë kuptuar, por janë mbipërmbushur shumëfish, prandaj nuk e di çfarë të them”, ka thënë ajo.
Kritika për qasje jo të drejtë të Borrellit ndaj Kosovës, sipas Palokaj, ka edhe nga përfaqësuesit e BE-së.
“Gjithsesi, prej kur ishin vendosur masat para një viti edhe në BE janë dëgjuar zërat që kanë tërhequr vërejtjen se Borell dhe Komisioni Evropian nuk kanë qasje të balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, sepse Kosovën e kanë sanksionuar ndërsa kanë hezituar të marrin çfarëdo mase ndaj Serbisë, edhe pse ka evidenca që edhe Serbia nuk i ka përmbushur obligimet e saj sa i përket uljes së tensioneve në veri”, ka thënë Palokaj.
Skeptik për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është edhe njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi. Sipas tij, veprimet e ekzekutivit që rezultuan me kryerjen e një operacioni policor ndaj institucioneve financiare ilegale në veri do të përfshihen në raport.
“Masat të largohen se janë të padrejta. Por kam frikë se mund të vazhdohet një status-quo pikërisht për hapat që i ka marrë Qeveria së fundmi me shpronësimin e tokave dhe çështjen e dinarit. Është një jokonsistencë e Qeverisë në raport me BE-në dhe kam frikë që mund të kemi inat që mund të mbesin dhe të përfshihen në raport. Por shpresojmë që BE-ja do të përmirësojë atë që ka bërë gabim gjatë muajve të kaluar dhe të propozojë që të hiqen masat”, ka thënë Arifi.
Masat ndaj Kosovës janë vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri, kur në ndërtesat e komunave u vendosën kryetarët shqiptarë, të cilët u shpallën fitues nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.
Pas organizimit të procesit të votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve, zyrtarë qeveritarë ftuan BE-në që t’i heqë masat, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet e kërkuara.
Serbët në veri vetë iniciuan peticionin për shkarkim, por më pas e bojkotuan procesin e votimit.
Disa nga masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Shtetit të Kosovës i është ndaluar pjesëmarrja në ngjarjet e nivelit të lartë dhe janë suspenduar vizitat bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të vendit.
Është suspenduar gjithashtu edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin nëpërmjet Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-anëtarësimit).
Pas masave ndëshkuese, Kosova ka mbetur jashtë garanteve që BE-ja i ka miratuar në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.