Masa ndëshkuese janë paralajmëruar për ato subjekte politike, në rast se nuk respektojnë rregullat Anti-Covid.
Në fushatën e zgjedhjeve të fundit lokale ka pasur raste të shumta ku pothuajse të gjitha subjektet politike kanë thyer këto rregulla.
Partitë politike në rundin e parë të zgjedhjeve ishin deklaruar se nuk do të mbanin tubime zgjedhore, por fushatën do ta koncentronin në rrjetet sociale. Megjithatë, të gjitha mbajtën tubime kundër rregullave anticovid, ndërsa për balotazh nuk janë deklaruar se si do ta zhvillojnë fushatën.
Ndërkaq, zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë se janë shqiptuar masa ndëshkuese ndaj secilës parti apo kandidat për të cilët janë evidentuar veprime në kundërshtim me masat.
“Ne bashkë me policinë kemi mbajtur të mbikëqyrur zbatimin edhe në fushatën e fundit elektorale në zgjedhjet lokale dhe po ashtu jemi të përgatitur mirë, kemi kapacitete të mjaftueshme për të bërë mbikëqyrje edhe në këto ditë fushate të balotazhit zgjedhor që do të mbahet në disa komuna” ka thënë Thaçi.
Thaçi ka ftuar të gjitha subjektet politike t’i respektojnë rregullat, sepse sipas tij, në të kundërtën, do të përballen me masa ndëshkimore.
Derisa nga Policia e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për KOHËN, kanë bërë të ditur se që nga gushti i vitit të kaluar, deri në nëntor të 2021-s, janë dhënë dyqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e dyzet e pesë gjoba e që sipas tyre, përfshihen të gjithë personat fizikë dhe juridikë.
“Që nga 26 gushti 2020, policia ka filluar së zbatuari Ligjin Anti-COVID-19, që nga ajo ditë ne në suaza ditore në Raportin 24 orësh, në ueb dhe Facebook kemi pasqyruar numrin e gjobave të shqiptuara për shkelësit e këtij ligji. Kështu, për periudha me të shkurta kohore, për numrin e gjobave i referoheni Raportit 24 orësh, ueb-it dhe Facebook, kurse ne po jua dërgojmë numrin e përgjithshëm të gjobave nga 26.08.2020 deri më 04.11.2021: ku janë shqiptuar gjithsej 289045 ( dyqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e dyzet e pesë) gjoba (fletëparaqitje), ku përfshihen të gjithë personat fizikë dhe juridikë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Për shkeljen e masave në kryeqytet, KOHA, ka kontaktuar me Adonis Tahirin, nga komuna e Prishtinës, i cili ka thënë se me këtë çështje është marrë më shumë AUV-i, dhe se pyetjet duhet të dërgohen aty.
Fushata zgjedhore për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të fillojë të hënën e do të vazhdojë deri të premten.
Në balotazh kanë shkuar 21 komuna të Kosovës.