Arbëri

Te gazetarët në Kosovë e rajon mbizotëron frika për të folur për kushtet e punës

Gazetarët e vendeve të rajonit ballafaqohen me presione dhe shkelje të të drejtave të tyre edhe brenda redaksive ku punojnë. Frika për të folur për vështirësitë në punën e tyre nuk mungon.

Ky konstatim ka dalë nga hulumtimi i realizuar me gazetarë të pesë vendeve të rajonit, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës.

A kanë liri të duhur gazetarët që të merren me punën e tyre në redaksitë në të cilat punojnë?, ka qenë pyetja në fokus e hulumtimit disamujor me titull, “Dhuna e Fshehur: Tregime nga Redaksia”, ku janë mbledhur dëshmitë e gazetarëve për presionet me të cilat ballafaqohen në punën e tyre të përditshme në redaksi.

Una Hajdari gjatë lansimit të hulumtimit, nga Kosova, tha se shpesh për të ardhur deri të momenti të publikohet një shkrim, gazetari duhet të luftojë brenda redaksisë për të dal tema ashtu siç duhet.

Ajo përmendi disa përfundime në të cilat kanë ardhur pas realizimit të këtyre intervistave me gazetarë për punën e tyre brenda në redaksi.

Hajdari, në një bisedë për Koha.net, ka thënë se gazetarët në Kosovë, e më së shumti ata të Televizionit Publik dhe të Radio Kosovës, përballen me censurë e autocensurë, ndërsa thotë se Grupi KOHA e ka të rregulluar mirë çështjen e të drejtave të punëtorëve me kontratë. Ajo thotë se pas RTK-së, vijnë edhe disa televizione nacionale private, gazetarët e të cilëve kanë shprehur pakënaqësi me të drejtat e tyre brenda redaksive. 

Sipas saj, në Kosovë nuk ka asnjë iniciativë për organizim sindikal ku në mënyrë kolektive organizohen për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Mila Radulloviq nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Malit të Zi, thekson se gazetarët shpesh ankohen për një punë të vështirë, pagat e ulëta, mobingu. Ajo thotë se si në Kosovë, ashtu edhe në Malin e Zi, që nga shpallja e pavarësisë, qeveria nuk ka ndryshuar.

“Kolegët tanë nga shërbimi publik ankohen për presion politik për të kryer punën e tyre”, thotë Mila Radulloviq.

Hartuesit e këtij hulumtimi thonë se sipas një burimi nga Kosova, për gazetarët në Radio-Televizionin e Kosovës (RTK), censura dhe autocensura janë bërë pjesë integrale të punës.

“Kontributet për të nxjerrë në pah mangësitë, gabimet dhe manipulimin e partive në pushtet, veçanërisht nëse ata janë në çfarëdo mënyre të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), janë rreptësisht të ndaluara”, citon raporti të ketë thënë burimi i tyre në Kosovë.

Raporti më tej thotë se bashkëbiseduesit nga Kosova i ka ndodhur që t’i “zhduken” kronikat nga programi, apo ndonjëherë është kërkuar prej tij të vendosen edhe lajme të rreme për ndonjë anëtar të partisë opozitare, qëllimet e të cilit janë në kundërshtim me qëllimet e partive në pushtet.

“Dikush ka publikuar lajmin se kryetari i Prishtinës është arrestuar në aeroport gjatë udhëtimit të tij në Itali. Shumë parti qeverisëse i janë gëzuar këtij lajmi, sepse është dëshmi se dikush nga opozita është ‘kriminel’ si ata. Ndërkohë, kryetari i bashkisë në profilin e tij në Facebook botoi një fotografi nga një aeroport i Prishtinës me një futbollist të njohur, pra dëshmi se nuk është ndalur në Itali. Më thanë se duhet ta lëshojmë lajmin se është ndaluar në Itali. Më është thënë personalisht se do të më pushojnë nga puna nëse nuk do ta publikoja atë lajm”, citon raporti të ketë thënë burimi i tyre.

Zarka Radoja gazetare në Serbi, ka paraqitur gjetjet në hulumtimin që ka kryer atje.

“Ne kemi biseduar me rreth njëqind gazetarë në të gjitha shtetet [e rajonit] dhe përshtypja kryesore është se gazetarët janë të frikësuar të flasin për vështirësitë në të cilat punojnë. Kjo është arsyeja pse shumica e dëshmive tona janë anonime. Dhe për ne, ky është përfundimi më shqetësues. Pra, kur flasim për Serbinë, edhe pse situata në Serbi, Bosnje, Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi është shumë e ngjashme, kolegët tanë janë të diskriminuar, kanë probleme me censurën dhe presionin e hapur, që në fund çon në vetëcensurim, i cili është shqetësimi më i madh”, theksoi Radoja, transmeton Kosovapress.

Sa i përket situatës së mediave në Serbi në përgjithësi, Radoja tha se shumë organizata ndërkombëtare tashmë kanë një përfundim në lidhje me lirinë e medias dhe situatën e medias në Serbi, ku RSF (Reporters Without Borders) tashmë e ka ranguar Serbinë për 10 vende më poshtë për vitin e kaluar lidhur me lirinë e medias në Serbi,

Gazetarja Biljana Sekulovska-Iva nga Maqedonia, thotë se frika ka qenë rezultati më i habitshëm i tyre në këtë hulumtim.

“Pra, rezultati më i habitshëm i hulumtimit tonë është frika. Gazetarët kanë frikë nga gjithçka, por kryesisht nga redaktorët e tyre. Ata kanë frikë se redaktorët e tyre do t'i poshtërojnë, do t'i degradojnë ose do t'i torturojnë. Ata tashmë kanë paga të mjerueshme, por ata ende kanë frikë se do të pushohen nga puna, se nuk mund të gjejnë një punë tjetër dhe se do të përfundojnë në rrugë, se do të futen në listën e zezë nga gazetarë të tjerë dhe nga media të tjera”, ka thënë Sekulovska-Iva.

Ajo thotë se redaktorët kanë frikë nga pronarët e tyre pasi që mund të pushohen nga puna e tyre si gazetarë dhe mund të humbasin rehatinë e tyre, përfitimet e tyre, gjendjen e tyre financiare, por edhe pushtetin.

Ndërsa, pronarët, sipas saj, gjithmonë kanë frikë nga partia në pushtet, politikanët, qeveria, kryeministri, sepse ata mund të vihen nën ndonjë hetim për krimin, korrupsionin e tjerë.

Projekti “Dhuna e Fshehur: Tregime nga Redaksia” është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe është pjesë e programit “Mbrojtja e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes”, zbatuar nga Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë si pjesë e projektit “Platforma rajonale për avokim të lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Ballkanin Perëndimor”.

RAPORTIN E PLOTË E GJENI KËTU