Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur të hënën ka caktuar që vazhdimi i seancës të mbahet të enjten e kësaj javë.
Pas mbledhjes së Kryesisë zyrtarë të opozitës kanë thënë se do të jetë e vështirë që Projektligjet që janë në agjendë të kalohen, ndërkohë që ata të pushtetit kanë thënë se është e domosdoshme që mbi 50 projektligje që janë në agjendë të kalohen në këtë legjislaturë, në mënyrë që të mos kthehen në pikën zero, ndonëse kanë thënë se nuk presin diçka më dinamike në javët në vijim.
Shefi Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se do të jetë e vështirë që të kalohen projektligjet që janë në rend të ditës.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se shumica parlamentare është humbur.
“Po shkojmë drejt fundit të legjislaturës dhe siç duket... do të jetë e vështirë që të miratohen ligje gjatë kësaj legjislature. LDK-ja e ka konfirmuar pjesëmarrjen në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare por siç duket shumica parlamentare është humbur”, ka deklaruar Gashi.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se partia në pushtet s’po mund ta sigurojë as shumicën e thjeshtë.
“Po shihet se kjo mazhorancë e ka humbur shumicën ... po kërkohet ndihma e opozitës sidomos për marrëveshjet ndërkombëtare dhe këta nuk janë në gjendje ta sigurojnë as shumicën e thjeshtë për të cilën janë mburrur. Do të shihet se edhe në seanca të tjera nuk do ta ketë shumicën e thjeshtë pas largimit të deputetëve”, është shprehur Kadrijaj.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se uron që në javët e ardhshme të hyjnë në një fazë më dinamike.
“Zyrtarisht Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes i ka 54 deputetë dhe 8 janë nga grupi multietnik ... Nuk shohim diçka më dramatike në javët në vijim. Uroj që të hyjmë në një fazë më dinamike. Është më se e domosdoshme që diku 52 projektligje që janë më mes të dy leximeve të kryhen. Nuk do të donim që pas punës voluminoze që të kthehen në pikën zero”, ka theksuar Kusari-Lila.