Arbëri

Të dyshuarit për krime lufte në rajonin e Gjakovës s’i lejohet mbrojtja në liri

Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë

Një muaj paraburgim ia ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë serbit Dragan Ristiq, i cili dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile në regjionin e Gjakovës. Sipas kërkesës së prokurorisë, Ristiqi dyshohet në periudhën kohore 7 deri 10 maj të 1999-s, ka kryer vrasje, dëbim, keqtrajtim dhe djegie të shtëpive në rajonin e Gjakovës

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar të mërkurën 30 ditë paraburgim Dragan Ristiqit, i dyshuar për krime lufte të kryera kundër popullatës civile në regjionin e Gjakovës.

Siç është informuar KOHA, Ristiqi dyshohet për vrasje, dëbim, keqtrajtim dhe djegie të shtëpive në rajonin e Gjakovës, gjatë periudhës prej 7 deri 10 maj të 1999-s.

Jovana Filipoviq, avokate e të akuzuarit Dragan Ristiq, tha se është propozuar masë e butë paraburgimi, meqë i akuzuari është i shtyrë në moshë. Filipoviqi insiston se i akuzuari Ristiq nuk është ai që ka kërkuar prokuroria.

“Ne kemi propozuar një masë më të butë, pasi që Dragani është shumë i moshuar dhe me gjendje të keqe shëndetësore, kështu që shpresojmë se vendimi do të jetë i favorshëm për të. Dragani kurrë më parë nuk ka pasur të bëjë as me dënim e as me aktakuzë për çfarëdo tjetër. Ai madje u ka ndihmuar shqiptarëve të shumtë  gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Ne ia kemi përmendur gjykatës të gjitha faktet dhe rrethanat e rëndësishme që shpien te konstatimi që ky Dragan Ristiqi nuk është ai që e kanë kërkuar”, ka thënë Filipoviq.

Policia e Kosovës e ka arrestuar të martën Dragan Ristiqin, në pikën kufitare të Jarinjës, nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Sipas Policisë, i dyshuari Ristiq kishte vepruar në grup të organizuar si zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.