Arbëri

Të dy kandidatët për kryetar të Klinës shpresojnë në koalicion me LDK-në e VV-në

Kandidatët për kryetar të Komunës së Klinës s’kanë përjashtuar mundësinë që të hyjnë në koalicione me dy partitë tjera të mëdha në këtë komunë, për rundin e balotazhit të nëntorit.

Kryetari Zenun Elezaj, njëkohësisht kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për edhe një mandat, si dhe rivali i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Esat Raci, dolën në dy pozitat e para në zgjedhjet e 17 tetorit. Elezaj i priu garës me 43 për qind të votave, ndërsa Raci ishte i dyti me 27.6 për qind.

Në balotazh, që do të mbahet me 14 nëntor, Elezaj shpreson që edhe kësaj here si në balotazhin e zgjedhjeve të kaluara në nëntor të vitit 2017 do të mbështetet nga partnerët e koalicionit në qeverisjen e mandatit të fundit, LDK dhe LVV.

Elezaj ka thënë të mërkurën për KOHËN se e ka vullnetin për vazhdimin e koalicionit dhe qeverisjes së Klinës me LDK-së dhe LVV-në.

“Vullneti është dhe sigurisht që jam i interesuar për të vazhduar bashkëqeverisjen me LDK-në dhe LVV-në. Por kjo varet prej atyre. Unë mendoj kështu, por ende nuk kemi komunikime zyrtare me këto parti. Por një herë po presim edhe certifikimin e rezultateve edhe për Kuvendin Komunal”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, edhe sfiduesi i Elezajt në balotazh, Raci i PDK-së s’ka përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje koalicioni para balotazhit.

“Ende nuk kemi vendos asgjë, por absolutisht nuk e përjashtojmë mundësinë e bashkëpunimit. Nuk i përjashtojmë ato mundësi, dhe vija të kuqe nuk kemi”, u shpreh Raci, duke shtuar se ka përafrime, por pa saktësuar me cilin subjekt.

Bazuar në rezultatet preliminare për Kuvendin Komunal të Klinës, AAK-ja ka fituar 39.70 për qind të votave, PDK-ja 25.14 për qind, LDK-ja 21.66 për qind dhe LVV-ja 11.18 për qind.

Megjithatë partnerët e deritashëm të AAK-së në koalicionin bashkëqeverisës të Klinës në mandatin e fundit 2017-2021, LDK-ja dhe LVV-ja ende nuk janë të sigurt për vazhdim apo jo të bashkëpunimit, me lidhjen e një koalicioni të ri me AAK-në para balotazhit dhe bashkëqeverisjen e mundshme edhe për një mandat tjetër, nëse Elezaj del fitues në balotazh. Madje LDK-ja në Klinë është e hapur edhe për PDK-në dhe kandidatin e saj në balotazh për kryetar të Klinës, Esat Raci.

Kandidati i LDK-së që ishte për kryetar të Klinës në zgjedhjet e 17 tetorit, Besim Hoti, nënkryetar aktual i kësaj komune në mandatin që përfundon, u shpreh për KOHËN se si degë do të takohen një herë me strukturat udhëheqëse të partisë, për të vendosur për veprimet e mëtutjeshme.

“Nuk e përjashtojmë asnjë mundësi me askënd. Por duhet paraprakisht me u marrë vesh me bazën, me strukturën e LDK-së. Do të bisedojmë dhe do të shikojmë a mundemi dhe me kënd mundemi me bë marrëveshje. Ne jemi për marrëveshje dhe vija të kuqe nuk kemi për askënd dhe nuk e përjashtojmë mundësinë edhe të një koalicioni me PDK-në”, ka deklaruar Hoti, i cili të dielën doli i treti në zgjedhjet për kryetar të kësaj komune me 3 mijë e 284 vota të fituara apo 19,41 për qind.

Ndërsa edhe në taborin e subjektit të LVV-së në Klinë, ende nuk ka ndonjë qëndrim për një koalicion të sërishëm me AAK-në apo ndoshta edhe krijimin e një koalicioni me PDK-në para balotazhit.

“Ende nuk kemi ndonjë diskutim për koalicione të mundshme. Po presim një takim në Prishtinë me strukturat e partisë dhe me marrë udhëzimet e duhura se çka dhe si të veprojmë tutje”, ka thënë për KOHËN koordinator i grupit punues të Qendrës së LVV në Klinë, Iber Elezaj, i cili katër vitet e fundit ka qenë drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Klinës, si pjesë e koalicionit të gjerë të bashkëqeverisjes në Komunën e Klinës të ish-partive opozitare në Klinë (AAK, LDK, LVV dhe Nisma), të cilat para katër vjetëve ishin bërë bashkë dhe rrëzuan nga posti i kryetarit të kësaj komune, Sokol Bashotën e PDK-së.