Arbëri

Të dielën partitë shkelën masat anti-COVID

Mbrëmë pas mbylljes së qendrave të votimit e pak para publikimit të rezultateve të para zgjedhore, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike doli me një apel për qytetarët e Kosovës.

Ata kërkuan respektimin e të gjitha masave anti-COVID dhe shmangien e grumbullimeve.

Por pasi që Komisioni Qendror Zgjedhor nisi publikimin e rezultateve, partitë pa përfillur këtë apel nisën festat e tyre të fitores nëpër komuna.

Në Pejë, qytetarë të shumtë dolën ta festojnë fitoren e kandidatit të LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ku u desh të intervenonte edhe Policia për shpërndarjen e qytetarëve.

Njëjtë ka festuar edhe Partia Demokratike e Kosovës në Skenderaj, ku nuk ka munguar as gjuajta me armë, nga të cilat një 33-vjeçar ka mbetur i plagosur.

Ndonëse kanë mbetur në balotazh, festë me shumë njerëz kanë organizuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë.

Njësoj balotazhin e kanë kremtuar pa respektuar masat edhe në Gjakovë dy kandidatët nga AAK-ja e LVV-ja, Ardian Gjini e Mimoza Kusari- Lila.

Thirrjen e IKSHPK-së e kanë neglizhuar edhe në Gjilan kandidatët nga LVV-ja e LDK-ja të cilët garën për kryetarin e komunës do ta zhvillojnë sërish në nëntor.

Masat u respektuan vetëm në kryeqytet, ku nuk pati festë nga militantët e asnjërës parti.

IKSHPK-ja ka theksuar se ndonëse ka rënë numri i infektimeve, megjithatë situata është jostabile dhe varianti Delta është ende në qarkullim.