Një 72-vjeçare (emër i njohur për redaksinë) nuk merr asnjë cent për punën që bëri për katër dekada në një nga institucionet publike.
Pensioni kontributpagues prej 200 eurosh iu ndal kur asaj iu njoh statusi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Me të marrë statusin, shteti e detyroi atë të zgjedhë mes dy pensioneve.
Ajo thotë se zgjodhi atë të të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës, që kap shumën prej 230 eurosh.
Por e cilëson të padrejtë detyrimin për të zgjedhur mes dy pensioneve.
“Atë ditë kur e kam lënë pensionin tim kontributpagues që kam punuar 40 vjet, e më shkoi, e thashë nuk e marrë kurrë, aq u mërzita, shumë, shumë. Atë ditë kur u ktheva prej ministrisë desh flaka më ka dalë. Mirë që munda të kthehem në shtëpi... Atë ditë që kam lënë pensionin tim, me fol me djalë nuk kam mundur, as me nuse, se përveç burrit nuk e ka ditur askush. Një javë ditë shtritë kam qëndruar prej mërzisë”, ka thënë 72-vjeçarja në një intervistë për KosovaPress.
Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta, lejon që përfitues të pensionit të viktimave të dhunës seksuale të luftës mund të jenë edhe shfrytëzuesit e pensionit bazë.
E ligji për skemat pensionale ndalon përfitimin e pensionit të dyfishtë.
“Personat të cilët janë përfitues të cilitdo pension të skemave pensionale të përcaktuara me këtë ligj, nën asnjë rrethanë, nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni nga skemat e veçanta pensionale, të cilat menaxhohen dhe administrohen nga ministria”, thuhet në Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.
Por në maj të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka njohur pensionin e dyfishtë tre të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Në vendimin e kësaj gjykate është thënë se askush nuk mund të privohet nga e drejta për pension të pleqërisë, meqë është e drejtë themelore e njeriut.
E drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, e vlerëson të dhimbshme detyrimin për zgjedhje të pensionit.
“Ligji për pensione, i cili ka ardhur në fuqi më vonë se ligji për vlerat e luftës që e njeh këtë grup ligjërisht, e ndalon pensionin e dyfishtë. Për neve ka qenë shqetësim madhor, jo si organizatë por edhe për të mbijetuarit sepse shumica e grave ende nuk flasin në familje rreth pensionit që e marrin si viktimë e dhunës seksuale, disa bile fatkeqësisht, familjarët nuk e dinë fare. Dhe kjo e ka sjellë një situatë shumë të pakëndshme edhe shpirtërore, edhe shëndetësore edhe psikologjike por mbi të gjitha është shkelje për faktin që si viktimë e dhunës seksuale ti duhet ta gëzosh atë lloj kompensimi që ta jep shteti. Ndërsa pensioni i moshës apo kontributdhënës duhet të jetë horizontal për të gjitha grupet”, ka thënë Rushiti.
Sipas raporteve ndërkombëtare janë rreth 20.000 persona të përdhunuar gjatë luftës së viteve 1998/99.
Por për shkak të stigmatizimit, statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë fituar vetëm rreth dy mijë persona.