Dallime të mëdha sa i përket numrit të personave të varur nga insulina ka në mes të të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe atyre të komunave. Për të njëjtin vit dhe komunat e njëjta, dallimet janë të dukshme dhe kjo mund të shkaktojë edhe dëme të mëdha financiare. KOHA tash e 2 muaj ka kërkuar sqarime nga ky institucion për këto dallime, por ata nuk kanë pranuar të përgjigjen
Të dhëna me dallime jo të vogla gjeneron Ministria e Shëndetësisë kur bëhet fjalë për pacientët diabetikë, të cilët janë të varur nga insulina, produkt që sigurohet nga kjo Ministri.
E kjo mund të shkaktojë edhe dëme të mëdha financiare.
KOHA muaj më parë ka kërkuar qasje në dokumentet publike lidhur me numrin e insulinëvartësve që e posedon Ministria e Shëndetësisë.
Ky institucion ka përcjellë dy tabela me të dhëna për vitet e njëjta e komunat e njëjta, por që dallojnë shumë nga njëra-tjetra.
Në përshkrimin e njërës tabelë është vetëm “numri total i insulinëvartësve për vitet 2016-2022”, ndërsa në përshkrimin e tabelës tjetër është “Numri i insulinëvartësve, sipas Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe Komunave”.
Disa shembuj ilustrues tregojnë dallimet. Kësisoj, në tabelën numër 1, ku janë të dhënat totale thuhet se në vitin 2018, në Komunën e Gjilanit ishin 878 pacientë insulinëvartës.
Për të njëjtin vit, tabela numër 2 thotë se ishin 970. Pra dallimi është rreth 100 pacientë.
Dallim i madh në tabela vërehet edhe për Komunën e Istogut.
Në tabelën numër 1 të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet që më 2018 ishin 243 insulinëvartës, por në tabelën numër 2 figurojnë 103 pacientë që janë të varur nga insulina. Dallimi është prej 140 pacientëve. E nëse llogaritet nga një insulinë në ditë për ta, atëherë dallimi në kosto financiare është rreth 255 mijë euro.
Dallim i madh vërehet edhe në dy tabelat për Mitrovicën. Në të parën janë 487 insulinëvartës, kurse në të dytën 643.
Edhe në të dhënat nga viti 2018 e deri më tash ka dallime të mëdha për komunat e njëjta.
Ndryshim tek insulinëvartësit në Mitrovicë vërehet edhe në tabelat e vitit 2019. Në njërën janë 517 pacientë, kurse në tjetrën 695.
Të tilla dallime ka edhe në tabelat për vitet 2020 e 2021.
Qysh nga prilli, kur KOHA ka pranuar këto të dhëna, ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për dallimet e mëdha në shifra dhe ka kërkuar informacione për arsyen pse nuk ka një sistem ku gjenerohen të dhënat. Ky institucion nuk ka dhënë informacione.