Prej tri vjetësh, Departamenti Shëndetësor i Burgjeve ka kufizuar monitorimin e shërbimit shëndetësor në qendrat korrektuese. Bazuar në dokumente që ka siguruar KOHA, brenda një viti 9 qytetarë që janë duke kryer dënime, u ankuan në Ministrinë e Shëndetësisë për mostrajtim të duhur shëndetësor, ndërkaq qindra të tjerë nëpërmjet telefonit në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës
Nëntë ankesa që lidhen me shërbimet shëndetësore brenda burgut të Dubravës dhe atij të Lipjanit janë drejtuar gjatë vitit të shkuar në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa qindra sosh në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Bazuar në ankesat e shkruara, kopje të të cilave i ka siguruar KOHA, të burgosurit kanë alarmuar për mostrajtim të duhur shëndetësor brenda burgut, për mungesë ofrimi të shërbimit shëndetësor sipas kërkesës, për sjellje joprofesionale të infermierit dhe për mosaprovim të kërkesës për vizitë te stomatologu.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk treguan se çfarë veprimesh ka ndërmarrë inspektorati, por theksuan se një ankesë është trajtuar.
“Ankesa lidhur me burgjet është shqyrtuar dhe i burgosuri ka marrë trajtim dhe përgjigje përkatëse. Ankesa të tjera që lidhen me burgjet janë trajtuar nga Departamenti për Shëndetësi në Burgje, i MSH-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Zyrtarë të Ministrisë nuk e aprovuan kërkesën e KOHËS për të intervistuar drejtorin e Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, Milazim Gjocaj.
As Shërbimi Korrektues nuk ka lejuar qasje në ndonjërin prej burgjeve.
Në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës theksuan se prej tre vjetësh shërbimi shëndetësor në burgje ka mbetur pa monitorim nga jashtë, pasi një qasje të tillë nuk e ka lejuar Departamenti Shëndetësor i Burgjeve.
Fatmire Haliti, e cila është menaxhere e projektit në këtë qendër, thotë se pavarësisht kufizimit të qasjes, janë pranuar qindra ankesa nëpërmjet telefonit nga të burgosurit.
“Gjatë vitit 2024 kemi pasur mbi 300 telefonata nga të burgosurit. Po ashtu, edhe në këtë vit kemi marrë telefonata të vazhdueshme, ku një numër i konsiderueshëm i telefonatave janë nga të burgosur, e që kanë të bëjnë me shqetësime, që adresojnë shqetësime që kanë të bëjnë me shëndetësinë nëpër burgje”, ka thënë Haliti.
Haliti tregoi edhe natyrën e ankesave që janë pranuar.
“Ankesat kryesisht kanë të bëjnë me vonesë të trajtimit apo trajtimit adekuat nga stafi shëndetësor, humbje të terminëve, trajtim specialistik sipas kërkesave dhe nevojave të tyre dhe shqetësime të tjera që adresojnë secili i burgosur, varësisht prej nevojave dhe ankesave që ka”, ka theksuar ajo.
Bazuar në raportin e fundit të Departamenti Shëndetësor të Burgjeve, gjatë vitit 2024 janë kryer 65 mijë e 970 shërbime mjekësore. Sipas dokumentit, vjet janë raportuar 436 lëndime trupore, 50 më shumë sesa në vitin paraprak.