Arbëri

Të akuzuarit nga Gjykata Speciale s’dihet nëse do të votojnë më 14 shkurt

Dy ditë afat kanë mbetur që personat jashtë Kosovës të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit. Një gjë të tillë nuk dihet nëse do ta bëjnë edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët janë në paraburgim në Hagë. Nga Gjykata Speciale kanë thënë se do t’u ndihmojnë të akuzuarve për ta ushtruar këtë të drejtë, por nuk kanë dhënë shumë detaje. “Dhomat e Specializuara të Kosovës ofrojnë ndihmë brenda kornizës së duhur ligjore për të burgosurit, për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në përgjigjen e Speciales për KOHËN.

Artan Qerkini, avokat i licencuar nga Specialja, thotë se nëse të paraburgosurit shprehin vullnet për të votuar, Gjykata duhet të kontaktojë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe të mundësojë votimin e tyre. “Në asnjë rrethanë të burgosurit nuk mund t'i kufizohet e drejta për të votuar, sepse të drejtën për të votuar secilit person në Kosovë ia njeh Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila në nenin 45 parasheh që secili qytetar i Kosovës ka të drejtën aktive dhe pasive të votës”, ka deklaruar Qerkini.

E drejta për të votuar nuk përmendet në Rregulloren e punës së Dhomave të Specializuara, e as në ligjin i cili ka mundësuar krijimin e tyre. Kurse neni 5.2 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë thotë se një person nuk mund të votojë vetëm nëse është duke vuajtur dënimin e shqiptuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Sipas këtij neni, personi nuk mund të votojë nëse është i akuzuar nga Tribunali dhe ka dështuar t’i bindet urdhrit për t’u paraqitur para Tribunalit ose është shpallur mendërisht i paaftë me vendim të prerë gjyqësor. Megjithatë, KQZ-ja nuk ka treguar nëse deri më tani në adresë të tyre ka shkuar ndonjë kërkesë për regjistrim.

“Të gjithë ata që janë të akuzuar nga Gjykata Speciale dhe të cilët gjenden në Hagë, sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës, mund të votojnë si votues jashtë Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së. Afati për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës ka filluar para gjashtë ditësh dhe përfundon më 21 janar 2021, në orën 18:00.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa po akuzohen për krime lufte nga Specialja, kurse Hysni Gucati e Nasim Haradinaj për frikësim të dëshmitarëve dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.