Në fazën e fundit të rigjykimit për rastin e njohur si “Veteranët”, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, të mërkurën kanë dhënë fjalët përfundimtare para Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke i kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ata kanë theksuar se vendimet për njohjen e statusit të veteranëve janë marrë nëpërmjet zinxhirit komandues dhe jo individualisht nga anëtarët e Komisionit
Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre në rastin e njohur si “Veteranët” kanë dhënë të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë fjalët e tyre përfundimtare, duke i kundërshtuar akuzat e Prokurorisë Speciale (PSRK) se e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare për të favorizuar persona të caktuar në procesin e njohjes së statusit të veteranit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në këtë rast janë të akuzuar 12 persona, përfshirë ish-zyrtarë të lartë dhe anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të pjesëtarëve të luftës së UÇK-së. Ata akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, që sipas aktakuzës ka rezultuar me një dëm prej miliona eurosh në buxhetin e shtetit.
I akuzuari Nuredin Lushtaku, gjatë fjalës së tij përfundimtare, ka vënë në dyshim selektivitetin e ndjekjes penale.
“Nëse unë duhet me qenë në gjykatë dhe këta të tjerët që janë në gjykatë, në të njëjtin takim që kam qenë unë, në mbledhjen e 26-të, pse nuk janë të gjithë njerëzit që kanë qenë në atë takim këtu në gjykatë, por vetëm unë”, ka thënë Lushtaku para trupit gjykues të mërkurën.
E avokati i tij, Tahir Rrecaj, ka deklaruar se në mbledhjen e përmendur dhe në të vetmen në të cilën Lushtaku ka marrë pjesë nuk është diskutuar apo shqyrtuar asnjë aplikacion për veteranë.
“Në të vetmen mbledhje në të cilën ka marrë pjesë zotëri Lushtaku, nuk ka qenë në rend dite asnjë aplikacion për shqyrtim”, ka deklaruar avokati Rrecaj.
E avokati Eset Berisha, i cili e përfaqëson të akuzuarin Sadik Halitjaha, ka argumentuar se procedurat për njohjen e statusit të veteranit nuk janë zhvilluar në mënyrë të njëanshme apo personale nga anëtarët e Komisionit, porse janë bërë nëpërmjet një strukture të organizuar ushtarake që e përfshinte zinxhirin komandues.
“Të gjitha aplikacionet për njohjen e statusit të veteranit të UÇK-së janë mbushur nga vetë aplikuesit, të cilët kanë aplikuar për të fituar këtë status. Këto aplikacione më pas janë verifikuar sipas zinxhirit komandues, nga persona të tjerë, siç është komandanti i njësisë, kompanisë, togut, batalionit, brigadës dhe komandantët ose zëvendëskomandantët e zonës operative përkatëse”, ka theksuar ai.
Edhe avokati Arianit Koci, i cili e përfaqëson të akuzuarin Shkumbin Demaliaj, ka deklaruar se klienti i tij ka vepruar në përputhje me kompetencat ligjore, pa pasur ndonjë rol në përzgjedhjen individuale të aplikuesve.
“Ka vepruar brenda kompetencave ligjore si pjesë e një komisioni institucional nga dokumentacioni që është dërguar nga komandantët e zonave dhe vija komanduese. Vetë Shkumbini nuk e ka pasur asnjë rol përzgjedhës për asnjërin prej aplikuesve”, ka thënë Koci.
E i akuzuari Shukri Buja është shprehur se numrat e veteranëve të evidentuar më herët nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), krahasuar me ata të verifikuar më pas nga Komisioni Qeveritar, dëshmojnë se pretendimet e aktakuzës nuk qëndrojnë. Ai ka thënë se vetëm nga TMK-ja janë evidentuar 38 mijë veteranë, e në këtë listë nuk janë përfshirë ushtarët që kanë qenë pjesë e FARK-ut.
“Numri i evidentuar në TMK prej 38 mijë veteranëve plus kategoritë që i ceka më lart që nuk ishin të përfshirë, krahasuar me numrin e veteranëve të verifikuar nga Komisioni Qeveritar prej 46,272, tregon pabazueshmërinë e aktakuzës”, ka deklaruar Buja.
Nga mbi 80 mijë aplikues, statusin e veteranit Komisioni ua ka njohur afro 46 mijë personave.
Sipas aktakuzës së hartuar nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë ngarkohen se gjatë periudhës së viteve 2011–2017, si anëtarë të Komisionit Qeveritar kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë vepruar me qëllim që të mundësojnë përfitime të kundërligjshme për individë të caktuar. Për pasojë, sipas Prokurorisë, buxheti i Kosovës është dëmtuar në shumën prej miliona eurove.
Ky rast pati përfunduar me aktgjykim lirues më 19 janar të 2021-tës, por më 26 prill të 2022-tës Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim. Që nga ngritja e aktakuzës më 7 dhjetor 2018, Prokuroria Speciale e ka kërkuar edhe pezullimin e pagesës së pensioneve për 19,500 veteranë, kërkesë kjo që është refuzuar nga gjykata me arsyetimin se nuk ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejt me të akuzuarit, porse me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Të akuzuarit kanë theksuar se vendimet për njohjen e statusit të veteranëve janë marrë në bazë të dokumentacionit dhe të verifikimeve në nivel komandues, dhe se nuk ka prova që vërtetojnë se ndonjëri prej të akuzuarve ka vepruar me qëllim përfitimi apo dëmtimi të buxhetit shtetëror.
12 të akuzuarit për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” janë Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.