Një tavolinë është bërë shkak që një repart i Klinikës Spinale të mos punojë fare për së paku dy vjet. Gjatë hulumtimit të Programit për Trajtim Jashtë Vendit, KOHA e ka parë si arsyetim mungesën e një tavoline stabile për ndërhyrje kirurgjike. Një tavolinë e tillë, e re, i ishte blerë kësaj klinike në vitin 2019. Megjithatë, mjekët thonë që tavolina e re nuk është stabile. Arsye tjetër e ndërprerjes së shërbimeve në repartin spinal është mungesa e infermierëve, e në QKUK kanë thënë se jo vetëm që nuk ka ikur asnjë infermier nga kjo klinikë këto vjet, por janë shtuar edhe tre të rinj. Paratë e këtyre referimeve përfundojnë në spitalet private
Një repart i tërë i Klinikës së Ortopedisë është plotësisht jofunksional. Deri në vitin 2019 shumë patologji janë kryer në repartin spinal të Klinikës së Pediatrisë. Por hulumtimi i KOHËS për Programin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Spitalore, e ka identifikuar këtë klinikë si një nga pikat më të dobëta të QKUK-së sa u përket referimeve për në spitalet private.
Një nga arsyetimet më të shpeshta që ka parë KOHA në dokumentet e siguruara ekskluzivisht për Programin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, është mungesa e një tavoline stabile për kryerjen e ndërhyrjeve në ortopedi. E kjo tavolinë nuk kushton shumë. Siç ka mësuar gazeta, është rreth 18 mijë euro. Në mungesë të saj qindra mijëra euro në vit, e ndër vite miliona, i janë dhënë sektorit privat.
Deri në vitin 2019, për këtë repart u blenë tavolina të reja kirurgjike. Tavolinat arritën në nëntorin e atij viti, e deri atë ditë shfrytëzoheshin tavolina më të vjetra për ndërhyrje. Tavolinat e vjetra janë ende aty, e për tavolinat e reja që u kanë ardhur kësaj klinike para tre vjetësh, mjekët thonë që po lëvizin andaj ndërhyrjet nuk po bëhen.
Se një arsyetim i tillë përdoret, dëshmohet nëpërmjet shumë fletëreferimeve që ka parë KOHA.
“Udhëzohet për trajtim operativ jashtë QKUK-së, për shkak të mungesës së kushteve teknike në sallë operative (tavolina jostabile)”, thuhet në një nga fletëreferimet e prillit të vitit të kaluar.
Të tilla referime ka qysh prej vitit 2020. Formulimet janë pothuajse identike, ndonjërës i shtohet edhe ndonjë mungesë materiali.
“Udhëzohet për trajtim operativ jashtë QKUK-së, për shkak të mungesës së kushteve teknike në sallë operative (tavolina jostabile) dhe mungesës së Cage (implantit për disk artificial)”, shkruhet në njërin prej fletëreferimeve.
Zgjidhja e shpejtë jashtë QKUK-së
Referimet shpesh janë për rastet urgjente, duke detyruar pacientin që të bëjë zgjidhje të shpejtë për në spitalin privat.
“Arsyeja e referimit jashtë SHSKUK-së: Ky intervenim nuk mund të kryhet në QKUK, për shkaqe teknike (tavolina operatore) në këtë rast referohet me urgjencë jashtë QKUK-së”, është referimi tjetër.
Tavolinat operative që ishin sjellë të reja në QKUK, qenë blerë nëpërmjet një tenderi publik. Për ato kishte pranim teknik. Të rejat nuk u shfrytëzuan e ato të vjetrat nuk u rikthyen në punë.
Nga menaxhmenti i QKUK-së për këtë tender ishte kërkuar një auditim i brendshëm. Raporti i Auditorit kishte konkluduar se gjithçka është në rregull me letra.
”Sa u përket lëndëve Furnizim me Kompjuter; Furnizim me Inventar dhe Pajisje të tjera; Furnizim me Material Shpenzues – Klinika e Ortopedisë; Furnizim me Pajisje Mjekësore liferimi i mallit – përmbushja e kontratës është realizuar në përputhje me afatet dhe specifikat e cekura në kontratë”, thuhet në këtë raport që e ka siguruar KOHA.
Nuk ka gjetje që diçka me tenderin nuk ka qenë në rregull.
E më 2019, kjo klinikë nëpërmjet një komunikate për shtyp ishte vetëlavdëruar publikisht, duke deklaruar se gjatë atij viti Ministria e Shëndetësisë kishte ndarë buxhet shtesë për këtë institucion, e me ato para, kjo klinikë pretendonte që do të përmbushte shumicën e kërkesave.
“Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Arbër Tolaj, thotë se mjetet do të destinohen në pajisje mjekësore dhe material shpenzues, që nuk janë të përfshira në listën esenciale. Në mungesë të buxhetit, Tolaj, më tutje, thekson se më herët ka qenë e pamundur të përmbushen kërkesat e pacientëve dhe kështu, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, ata është dashur të dërgohen për trajtim jashtë Kosovës, me shpenzime shumë më të mëdha, duke rënduar buxhetin e shtetit”, thuhej në komunikatën që mban datën 11 shkurt 2019.
Komunikata citonte drejtorin për kinse investimet e atëhershme.
“Sipas një përllogaritjeje që kemi bërë, me 600 mijë euro ne do të mund t’i realizojmë dhe t’i përmbushim të gjitha këto kërkesa për pacientët, të cilët do të trajtohen brenda vitit 2019 për lloje të patologjive të ndryshme”, citohej të ketë thënë Tolaj.
Një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Me urgjencë” në mungesë të infermierëve që i ka
Përveç arsyes se tavolinës jostabile, kjo klinikë si arsyetim përdori edhe mungesën e infermierëve.
Kjo dëshmohet në këtë referim.
“Referohet për trajtim jashtë vendit për shkak të mungesës së funksionalizimit të repartit spinal dhe kushteve joadekuate për punë teknike, mungesa e infermierëve. Me urgjencë”, thuhet në një nga referimet e janarit të vitit 2021.
Trendi i njëjtë ka vazhduar deri në fundin e vitit 2021, për të cilën periudhë KOHA i ka dokumentet.
Në muajin qershor të vitit 2021 nga kjo klinikë, për në spitale private u referuan 10 pacientë, por kostoja e trajtimit të tyre në privat sipas kalkulimit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ishte 105 mijë euro.
Arsyeja te këto 10 referime: Mungesa e resurseve humane.
“Arsyeja e referimit jashtë SHSKUK-së: Për shkak të mungesës së resurseve humane dhe mjeteve teknike në QKUK”, thuhet në këto referime.
Megjithatë, burimet thonë së trendi i njëjtë është duke vazhduar edhe aktualisht.
KOHA ka pyetur në QKUK se sa infermierë i kanë ikur kësaj klinike prej kur ka ndërprerë punën në këtë repart. Sipas këtij institucioni, asnjë infermier nuk e ka lënë punën këto vjet, por i janë shtuar edhe tre infermierë të rinj, e puna ende nuk po fillon.
Kushte shtesë për rifillim të punës
Kjo klinikë nëpërmjet një letre drejtuar menaxhmentit, të cilën e ka KOHA, kanë vendosur kushte shtesë që puna të rifillojë.
“Në mënyrë që kirurgjia spinale të fillojë t’i kryejë operimet, të cilat më herët janë kryer, nevojitet që të plotësohen disa kushte elementare: Së paku 8 infermierë, 4 për ndërrime dhe 4 për orar gjatë ditës”, thuhet në hyrjen e letrës drejtuar menaxhmentit.
Një arsye tjetër ishte gëlqerosja e sallave.
“Dhomat të cilat janë adaptuar më herët të pajisen me inventar të domosdoshëm, si dhe të bëhet gëlqerosja e tyre”, thuhet në pikën e dytë.
Një nga kërkesat ishte edhe pajisja me kompjuterë.
“Katër kompjuterë, tre prej të cilëve në repart për mjekë dhe infermierë, dhe një kompjuter me një monitor të madh për sallë të dytë pasi që nuk funksionojnë CD gjatë operimit”, thuhet në këtë dokument.
Këto javë KOHA ka tentuar ta kontaktojë drejtorin e Klinikës, por ai nuk është përgjigjur. Në menaxhment kanë thënë se tavolina e re tashmë është porositur, por ende nuk ka ardhur.
Klinika e Ortopedisë është një nga klinikat me më së shumti referime në spitale private.
(Në vazhdim të hulumtimit mund të lexoni: Sa para u dhanë për shërbime në mungesë të funksionalizimit të aparaturës së re, gjashtë vjet në bodrum? Cilat ishin arsyet që nuk u shfrytëzua? Cila aparaturë u ble dy vjet më herët, edhe pse QKUK-ja e dinte se s’kishte staf për ta përdorur? Sa para shpenzohen jashtë vendit për këtë shërbim?)