Pejë, 7 nëtor - Nxënësit e gjimnazit “Bedri Pejani” vazhdojnë ta shohin vetëm nga jashtë palestrën e re të sportit, ndërtimi i së cilës ishte kryer në vjeshtën e vitit 2013.
Por brenda saj ende nuk kanë hyrë dhe nuk kanë mbajtur një orë të vetme të edukatës fizike, për shkak se palestra qe tetë vjet ende nuk është përfunduar.
Për shkak të mospërfundimit të palestrës, nxënësit e Gjimnazit edhe sivjet do t’i mbajnë jashtë orët e edukatës fizike.
“Edhe gjeneratat më përpara nuk e kanë pasur këtë mundësi për me ushtru në sallë. Po shpresojmë që na mundemi me mbërri bile pak”, ka thënë Rea Shabi, nxënëse e vitit të tretë në gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë.
Kur ka nisur ky projekt, siç tregon drejtori i Gjimnazit, Musa Nikçi, nuk e kishte besuar që do të zvarritej gati dhjetë vjet.
“Është një histori e saj që ka zgjatë jo vetëm në shkollë, por për tërë qytetin, sepse breza të tërë kanë dalë prej këtu, janë ardhur me shpresë që do të hyjnë ta shfrytëzojnë dhe nuk e kanë shfrytëzuar asnjëherë”, ka thënë drejtori Nikçi.
Operatori ishte kontraktuar në vitin 2012 nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila e kishte tenderuar këtë projekt në vlerë prej rreth 380 mijë eurosh, të bashkëfinancuar nga Komuna e Pejës.
Mirëpo prej vitit 2013 kanë mbetur pa u vendosur nyjat sanitare, kaldaja e ngrohjes qendrore, shtrimi i parketit dhe disa punime të tjera.
Për shkak të zvarritjes së punimeve ndër vite, kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, kishte kërkuar disa herë nga Ministria që t’i shkëputej kontrata operatorit.
“Operatori ka qenë i papërgjegjshëm. Për tetë vjet nuk e ka kryer sallën e edukatës fizike në Gjimnaz. Ma në fund ju ka ndërpre kontrata dhe Ministria e Kulturës e ka ritenderuar projektin, kanë filluar punimet”, ka thënë kryetari i Pejës, Muhaxheri.
Siç i ka thënë KOHËS kjo ministri, kontrata i është shkëputur operatorit në vitin 2017 për vonesat në realizimin e punimeve dhe për mospërfilljen e planit dinamik.
Vitin e kaluar Ministra ka tenderuar punimet e mbetura dhe ka kontraktuar operatorin tjetër në vlerë të kontratës prej mbi 157 mijë eurosh.
Operatori i ri punimet i ka filluar në mars të sivjetmë dhe pas shtrimit të parketit dhe kryerjes së disa punëve të tjera, siç thotë drejtori i Gjimnazit, Musë Nikçi, qe tre muaj ky operator nuk ka punuar më asgjë.
Se kur do të kryhen punët e mbetura, sipas operatorit të kontraktuar, varet prej zotimit të mjeteve nga Ministria.
“Na e kemi pasë kontratën për 24 muaj. Dhe tash varësisht prej buxhetit si zhvillohet, po zhvillohet edhe puna”, është shprehur Hivzi Kabashi, inxhinier i operatorit të kontraktuar nga MKRS-ja.
Për financimin e punimeve të mbetura, kjo ministri, siç tha për KOHËN zyrtarja në këtë ministri, Zana Fetiu, do të ndajë buxhet të mjaftueshëm për përfundimin e projektit.