Arbëri

Tash e dy vjet, të moshuarit e Pejës e presin objektin e tyre për qëndrim ditor

 

Pensionistët e Pejës ende janë duke pritur që t’u hapen dyert e objektit për qëndrim ditor, i ndërtuar nga Komuna, mes parkut të vogël të qytetit dhe Pallatit të Kulturës.

Objekti për të moshuarit, të cilin në Pejë ndryshe po e quajnë “kafe-bari” i pensionistëve, u finalizua në vjeshtën e 2019-s dhe u inventarizua vitin e kaluar.

Por gjallëri ende nuk ka në këtë objekt, të cilit ende pa i hapur dyert për pensionistët, kanë filluar t’i bien pllakat nga muri.

E derisa një punëtor po i ringjiste pllakat, disa pensionistë kishin vendosur një tavolinë jashtë objektit dhe po luanin shah.

Të përqendruar më tepër në lojë, ata shprehën se nuk dinë se kur do t’u lëshohet objekti në shfrytëzim.

“As një send s’e dimë. Na po vijmë, po luajmë këtu. Verës luajmë në park, kur është koha ma e nxehtë”, ka deklaruar Gani Muqolli.

E në pritje se kur do të hapet objekti i tyre, pensionistët nuk e humbin as humorin.

“E lëshojnë ma merr mendja për 8 mars ose ditën e Shën-Valentinit”, deklaroi Adem Grapci, pensionist.

Zvarritja tash e një vit e gjysmë e hapjes së këtij objekti për grupmoshat e treta, sipas drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci, ka ndodhur fillimisht shkaku i pandemisë.

Kurse, siç tregon ai, me nisjen e vaksinimit masiv të popullatës kundër Covid-19, Qendra e vaksinimit është sistemuar në katin përdhes të Pallatit të Kulturës dhe objekti i pensionistëve është përdorur nga stafi i vaksinimit, si bufe e mensë.

“Pasi që funksionimi i qendrës po i vie fundi, kur parashihet mbyllja me datën 15 dhjetor, ne jemi duke i bërë përgatitjet e fundit, që të fillojmë me rastin e festave të nëntorit, pra pasi që lidhën tani edhe festat e nëntorit, të bëjmë hapjen e saj”, ka thënë Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë.

Deri tash, sipas shefit të qendrës së vaksinimit në Pejë, Dukagjin Sahatçiu, shumica dërmuese e popullatës së moshuar në Komunën e Pejës është imunizuar kundër Covid-19 dhe ai nuk sheh probleme nëse grumbullohen të moshuarit në atë objekt, në rast se hapet në fund të nëntorit, siç pohon komuna.