Zyrtarë të Presidencës së Kosovës dhe të Qeverisë janë përplasur në rrjete sociale, pas njoftimit të presidentes Vjosa Osmani se ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pak orë pasi Osmani bëri publike kërkesën e saj, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u mor me qasjen e dërgimit të kërkesës nga presidentja. Ai ka thënë se kërkesa e presidentes u bë publike në mediat sociale vetëm tre minuta pasi iu dërgua Qeverisë.
“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, ka shkruar ai në Facebook.
E Murati ka thënë se shteti serioz këto çështje i trajton larg mediave “dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi”. “Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”, ka shkruar tutje ai.
Menjëherë i është kundërpërgjigjur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes. Tek ka thënë se Murati është personi i fundit në Kosovë që mund të flasë për seriozitet, Kupina e ka quajtur të turpshëm, skandaloz e mungesë respekti bazik institucional reagimin e Muratit.
“Hekuran Murati është njeriu i fundit në këtë shtet që mund të na flasë për seriozitet. Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës, që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjike në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial, një njeri që mendon se me fyerje e ofendime mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, pas një letre institucionale e mirë të studiuar që Presidentja ia ka drejtuar Kryeministrit bazuar në rregullat e komunikimit shtetëror e mirësjelljes e respektit ndërinstitucional. E turpshme, skandaloze, me mungesë të respektit bazik institucional e me mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti e mbi të gjitha me mungesë të gatishmërisë minimale që të punohet e bashkëpunohet në interes të Kosovës është deklarata e tij e sotme. Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit tonë kryesor, e leni deklaratat e turpshme dhe fëmijërore”, ka shkruar ai, po ashtu në Facebook.
Më herët gjatë ditës, Osmani njoftoi se ka kërkuar nga Qeveria t’i pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga SHBA-ja. Ajo u shpreh se kjo është me qëllimin që të dërgohet mesazhi se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka thënë se ato do të hyjnë në fuqi në mesnatë (nga e enjtja).
Në listat e publikuara të shteteve që SHBA-ja u ka vënë tarifa, figuron edhe Kosova me 10 për qind tarifa. Edhe vendet e tjera të rajonit figurojnë me këtë përqindje tarifash: Shqipëria 10%, Mali i Zi 10%, Serbia 37%, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja e Hercegovina 35%.