Kosova dhe Finlanda ndajnë disa elemente të përbashkëta sa i përket sfidave të sigurisë dhe informatave të rrejshme. Të dyja vendet përballen me fqinj me qasje armiqësore që përdorin mjete të ndryshme për të ndikuar në shoqëri. Ekspertja finlandeze e komunikimit strategjik, Päivi Tampere, e cila së fundi vizitoi Kosovën, ndau përvojat e Finlandës në këto çështje
Në kohën kur dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë kthyer në një sfidë globale, Kosova po ballafaqohet me rritjen e këtyre përpjekjeve për të ndikuar në opinionin publik dhe vendimmarrjen politike.
Rusia dhe Serbia vazhdojnë ta përdorin dezinformimin si mjet për të sulmuar Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndër narrativat kryesore të përdorura janë shpikja dhe ekzagjerimi i kërcënimeve ndaj sigurisë dhe pronës së serbëve etnikë dhe pakicave të tjera, insinuata se Kosova është shtet i rremë që s’mund të qëndrojë pa mbështetjen e Serbisë dhe portretizimi i NATO-s si aktor armiqësor që kërcënon Rusinë.
Päivi Tampere, eksperte finlandeze e komunikimit strategjik, e cila vizitoi Kosovën si e ftuar nga ambasada finlandeze, ndau përvojat e Finlandës në këto çështje.
“...Në përgjithësi, kur flasim për manipulimin armiqësor të informacionit nga jashtëshpeshherë objektivi është të polarizojë shoqërinë ose të dobësojë aleancat apo organizatat ndërkombëtare. Dhe ato objektiva, për shembull ato që ka Rusia, janë pothuajse të njëjta në pjesë të ndryshme të Evropës. Duke pasur parasysh se kjo përfshin edhe Kosovën, do të dëshiroja të kemi një bashkëpunim, le të themi, ndërmjet Kosovës dhe Finlandës”, tha ajo.
Kosova dhe Finlanda ndajnë disa elemente të përbashkëta kur bëhet fjalë për sfidat e sigurisë dhe dezinformimit. Të dyja vendet kanë fqinj me qasje armiqësore që përdorin dezinformimin si mjet ndikimi.
“Do të thosha se ka ngjashmëri në narrativat që përhapen dhe, sigurisht, në taktikat që përdoren. Pra, rrjetet sociale përdoren shumë. Por më duhet të them se jo të gjitha dezinformatat që përhapen në rrjetet sociale lidhen me aktorët shtetërorë. Pra, nuk është e paligjshme të shpërndash informacione të falsifikuara online. Secili prej nesh mund ta bëjë nëse dëshiron. Siç e pamë gjatë pandemisë, kishte njerëz që besonin se vaksinat ishin të rrezikshme ose që thjesht donin të përhapnin ato lloj thashethemesh”, tha ajo.
Sipas saj, sondazhet tregojnë se finlandezët ndihen më të sigurt pas anëtarësimit në NATO, porse puna e tyre në fushën e dezinformimit ka vazhduar njësoj.
“Bashkëpunimi është thelbësor, si brenda vendit, ashtu edhe në rajon. Në Finlandë, ne bashkëpunojmë me institucionet shtetërore, OJQ-të dhe sektorin privat. Po ashtu, ndajmë përvoja dhe informacione me vendet nordike dhe baltike”, tha ajo.
Kosova ka qenë cak i vazhdueshëm i fushatave të dezinformimit, veçanërisht pas rritjes së tensioneve me Serbinë dhe ngjarjeve në veri të vendit. Narrativat nga Serbia e Rusia synojnë ta paraqesin Kosovën si një shtet armiqësor ndaj komuniteteve të tjera, që ka për qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova.
Kosova nuk është pjesë e NATO-s, por e ka brenda forcën e saj - KFOR-in, që muajt e fundit shtoi trupat e saj. Zyrtarë të saj në disa raste kanë përmendur Kosovën krahas Bosnjë-Hercegovinës si pika të nxehta të një konflikti të mundshëm.