Dy ftesa për takim brenda ditës, kanë shkuar në adresë të Vetëvendosjes, nga presidenti Hashim Thaçi.
Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidenti Thaçi e ka ftuar Kurtin në takim konstultativ rreth mandatarit për formimin e qeverisë.
Në Zyrën e Presidentit, takimi i parë dështoi meqë Vetëvendosje njoftoi se lideri i saj, Albin Kurti, nuk ndodhet në Prishtinë, raporton KTV.
Pas refuzimit të ftesës, presidenti Thaçi sërish ka ftuar në orën 20:00 liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Por, as kësaj radhe Kurti nuk i shkoi në takim presidentit, e njoftimin e bëri ai personalisht përmes një letre dërguar Thaçit.
“Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte. Për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, takohemi gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë, por i shqyrtoj këto nenet që i keni përmendur në dy letrat tuaja”, thuhet në letrën e Kurtit.
Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se në këtë rast janë dy mundësi: Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Për analistin politik Artan Muhaxhiri, mosshkuarja në takim e Kurtit është taktizim politik.
Në bazë të nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, prej momentit kur mandatohet nga presidenti, mandatari për kryeministër ka afat 15 ditë për formimin e qeverisë.