Arbëri

Taksisti punon pa leje qe 20 vjet, tregon pse komuna e Prishtinës nuk ia jep

Idriz Gashi, tash e 20 vjet, punon në Prishtinë si taksist ilegal.

Këtë thotë se e bën pasi që nuk ka pasur mundësi të pajiset me leje pune nga Komuna e Prishtinës, për ta ushtruar profesionin e tij, raporton KTV.

Ndonëse nga paslufta ka bërë disa herë kërkesë për leje pune, ajo nuk i është dhënë asnjëherë.

Gashi thotë se Komuna e Prishtinës ia kishte vënë disa kushte për ta marrë lejen e punës. Ndonëse plotësoi të gjitha kërkesat, leja sërish nuk iu dha.

Gashi, ndonëse kërkesën e fundit për t’u pajisur me leje pune e ka bërë në fillim të janarit, ende nuk ka marrë kurrfarë përgjigje.

Ndihet i indinjuar nga institucionet, pasi që thotë se e di arsyen pse nuk mund të pajiset me leje pune.

Për punën e tij në mënyrë ilegale, Gashi u dënua dy herë nga Inspeksioni, me nga 150 euro.

Në Komunën e Prishtinës, zëdhënësja Miranda Mullafazliu-Bejta, ka thënë se nuk mund të japin informata deri të martën për shkak se nuk janë në vendin e punës.