Arbëri

Taksistët në Prizren në hall me mungesën e parkingjeve të dedikuara për ta

Mungesa e parkingjeve të dedikuara për taksitë në rrugët kryesore të Prizrenit po krijon telashe për operimin e tyre të rregullt. Për këtë çështje po kërkohet që Komuna e Prizrenit të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme. Zyrtarët komunalë pohojnë se kanë filluar angazhimet për përcaktimin e parkingjeve në rrugën unazore edhe për taksitë.

Taksistët që operojnë në qytetin e Prizrenit po përballen me mungesën e parkingjeve.

tyre, Komuna duhet të krijojë një zgjidhje, në mënyrë që ata përditë të mos përballen me zyrtarët policorë për shkeljen e rregullave të trafikut.

Florim Hafizallari, taksist, ka theksuar se në Prizren operojnë mbi 600 taksi, teksa numri i parkingjeve të dedikuara për ta është shumë i vogël.

“Këtu tash ne e kemi vendstacionimin si taksist, punojmë qe një kohë bajagi të gjatë. Jemi mësuar me myshterinjtë tanë. Tash na ka ardhur urdhri d.m.th tabela është hequr e taksistëve e kanë vendosur tabelën e autobusëve dhe ne s'po kemi vend ku të shkojmë”, ka thënë Hafizallari.

Ai pranon se përditë përballen me Policinë, por se sërish janë të detyruar që të qëndrojnë aty.

“Ne përsëri po qëndrojmë këtu, s'e nuk po kemi ku të shkojmë. S'ka, vendstacionim nuk ka. Kah të shkojmë nuk kemi. Veç kështu po strukemi në vende ku po gjejmë vende të lira”, ka theksuar Hafizallari.

Çelë Lamaj, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, ka bërë të ditur se në rastin e rrugës afër “Tabakhanes”, taksitë kanë shfrytëzuar stacionin e dedikuar për autobusë, gjë që, sipas tij, nuk është e lejuar.

Ai ka pohuar se po hulumtojnë lokacione të reja në qytet, për të përcaktuar pikat se ku mund të vendosen taksitë, në mënyrë që të mos parkohen gjithkund.

“Për vendparkingje, edhe të taksive edhe parkingjeve të tjera, të cilat do të jenë në unazën e qytetit, Drejtoria e Shërbimeve Publike së bashku me kadastrën janë duke i evidentuar përmbi 700 parkingje, do t’i shenjëzojë dhe do të jenë lokacionet e caktuara edhe për taksitë”, ka deklaruar Lamaj.

Krijimi i parkingjeve të reja në qytet, me qëllim të përmirësimit të mobilitetit dhe krijimit të kushteve më të mira për zhvillim të biznesit, ka qenë njëri prej zotimeve elektorale të kryetarit aktual të Prizrenit.