Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

(Tekst i përditësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në takimin e mbajtur sot kanë arritur marrëveshjen për president.

Emri për të cilin janë pajtuar të dy partitë është Bekim Sejdiu.

Abdixhiku ka thënë se kanë diskutuar për shumë emra, porse Sejdiu ka qenë emri për të cilin është arritur pajtueshmëri.

Sejdiu ka thënë se e pranon postin e presidentit, duke shtuar se është vënë në shërbim të Republikës.

Ani pse i pranishëm në konferencë, Kurti nuk ka folur para mediave.

No description available.
Foto: Driton Paçarada

Osmani lavdëron Sejdiun: Figurë që e njeh nga afër shtetin, institucionet dhe sfidat e vendit

4 o. më parë / 31 gus 2026 14:09
vjosa

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se Bekim Sejdiu është profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet dhe një figurë që e njeh nga afër shtetin, institucionet dhe sfidat e Kosovës. 

“Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se vendimi u takon përfaqësuesve të Republikës dhe përgjegjësia për këtë vendim është historike.

“Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë”, ka shkruar ajo.

Osmani ishte presidentja e gjashtë e Kosovës. Mori këtë detyrë më 4 prill 2021, pas fitores me Lëvizjen Vetëvendosje.

Osmani nuk kishte mbështetjen e Vetëvendosjes për të marrë edhe një mandat si presidente. Pasi përfundoi mandati i saj dhe Kuvendi nuk zgjodhi emër tjetër, Kosova shkoi në zgjedhje. Osmani u rikthye në listën e LDK-së duke u prezantuar si kandidate për presidente. E mbi këtë çështje, pas zgjedhjeve, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pati thënë se “nuk do të bëhet kompromis”. Ndërkaq Osmani ka thënë se s’do të bëhej pengesë.

Haxhiu: Dakordimi i sotëm për presidentin, hap drejt funksionalizmit të institucioneve

4 o. më parë / 31 gus 2026 13:59
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur marrëveshjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidentin.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se dakordimi i sotëm është hap i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të institucioneve.

“E mirëpres marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për President të Republikës. Dakordimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve. Tani është me rëndësi që ky proces të përmbyllet në Kuvend, me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe interesi i Republikës”, ka shkruar ajo.

Bekim Sejdiu është emri për të cilën LVV-ja e LDK-ja janë pajtuar për postin e presidentit.

Sejdiu pranon kandidaturën për president: Jam vënë në shërbim të Republikës

4 o. më parë / 31 gus 2026 13:27
Bekim Sejdiu

Photo: Driton Paçarada

Kandidati i përbashkët për President i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bekim Sejdiu, ka pranuar propozimin për të kandiduar për president, duke thënë se është vënë në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. 

Në konferencën për media pas takimit të fundit midis kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku i pranishëm ishte edhe vetë Sejdiu, ai ka thënë se ndonëse ambicia e tij ka qenë kryesisht e orientuar drejt fushave akademike dhe profesionale, ka vendosur ta pranojë propozimin duke pasur parasysh përgjegjësinë që bart posti i presidentit dhe rrethanat aktuale politike në vend.

“Më bën të nderuar besimi që të dyja partitë më kanë dhënë, është nder i madh. Duke qenë i vetëdijshëm për barrën e përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe me kontekstin aktual politik, jam vu në shërbim të Republikës dhe qytetarëve tanë që të shërbej me devotshmëri”, ka thënë ai.

Sejdiu më tej ka shprehur shpresën se institucionet dhe subjektet politike do të gjejnë një rrugë për tejkalimin e situatës aktuale.

“Shpresojmë dhe besojmë që Republika e Kosovës do të gjejë rrugë për të ecur përpara dhe për t’u përballur me sfidat e mëdha që na presin”, ka përfunduar Sejdiu. 

Kush është Bekim Sejdiu, kandidati i propozuar për president

4 o. më parë / 31 gus 2026 13:18
bekim sejdiu

Bekim Sejdiu është emri për të cilin janë pajtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike të Kosovës për postin e presidentit të Kosovës.

Më poshtë është biografia e Sejdiut e marrë nga Gjykata Kushtetuese:

Bekim Sejdiu (1974) është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Para emërimit gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese (prill 2015), gjyqtari Sejdiu ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai i takon brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës.  Në këtë cilësi, ai ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë (2008-2012) dhe Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork (2012-2014) Para se të caktohej Ambasador, gjyqtari Sejdiu ka shërbyer si këshilltar politik në Kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Që nga viti 2002, gjyqtari Sejdiu është profesor (asistent) në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Prishtinës.

Gjyqtari Sejdiu ka përfunduar studimet juridike në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (1999). Ai ka përfunduar dy magjistratura: në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, në Universitetin e Bilkentit (2005), dhe në fushën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, në Universitetin e Sarajevës dhe në Universitetin e Bolonjës (2001). Gjyqtari Sejdiu ka doktoruar në fushën studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe të Studimeve Evropiane – Nova Univerza, në Slloveni.

Në të gjitha angazhimet e tij publike, gjyqtari Sejdiu ka qenë ngushtë i lidhur me përpjekjet për promovimin e tolerancës shoqërore, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe të barazisë gjinore, duke qenë kësisoj pjesë e grupit themelues dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED (2002-2008). Në vitet 2000-2002, ka qenë edhe drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile – FKSHC.

Gjatë veprimtarisë së tij publike, gjyqtari Sejdiu është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh, si: Dekoratën e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut (SHBA), Çelësin e qytetit Worcester (Massachusetts, SHBA) dhe Medaljen nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë.

Duke qenë pjesë aktive në mësimdhënie universitare, gjyqtari Sejdiu ka ndjekur vizita studimore në universitete të ndryshme të Evropës dhe të SHBA-së.  Ka botuar një numër punimesh akademike në revista të ndryshme shkencore, ndërkombëtare dhe vendore.

 

VV-ja e LDK-ja pajtohen për emrin e Bekim Sejdiut për president

4 o. më parë / 31 gus 2026 13:13
president

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku kanë arritur marrëveshjen për presidentin.

Ata janë pajtuar për emrin e Bekim Sejdiut.

Abdixhiku ka thënë se nga data 9 korrik kanë nisur takimet e vazhdueshme për diskutimet rreth stabilitetit institucional.

Ka thënë se kanë qenë të vendosur për të gjetur zgjidhje për të ecur përpara.

Ai ka thënë se bisedimet nuk ishin të lehta por shteruese.

Abdixhiku ka thënë se të dyja palët janë pajtuar për emrin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit.

“Kemi pasur takime të gjata, me diskutime të vazhdueshme dhe mjaft intensive. Të dyja palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për Presidentin e Republikës së Kosovës. Gjatë diskutimeve janë përmendur shumë emra personalitetesh të shquara që kanë mbështetje edhe në popull, edhe në shumë vende të Kosovës, që kanë dhënë kontribut profesional dhe kombëtar në shoqërinë tonë dhe që kanë vlera demokratike e shtetërore. Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu. Karriera e Profesor Doktor Sejdiut është e shquar dhe e pasur, me përvojë të ndryshme e pozita të rëndësishme“, tha Abdixhiku.