Arbëri

Takimi i mesnatës i sindikalistëve e deputetëve të LVV-së s’prodhon dakordim, vazhdon greva

minatorët e Trepçës

Minatorët e “Trepçës” në Minierën e Stantërgut kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës. Ndonëse të martën pas mesnatës ishte zhvilluar një takim pesorësh në mes Kryesisë së Sindikatës dhe disa deputetëve të pushtetit, megjithatë nuk ishte arritur një marrëveshje për plotësim të kërkesave të tyre. Nga Sindikata kanë thënë se para takimit u ishte premtuar dorëheqja e kryeshefit, Enis Aburrahmani, porse kjo nuk është realizuar. Ndryshe nga minatorët e Stantërgut, grevën e kanë ndërprerë ata të minierave të Kishinicës e Novobërdës

Pa një dakordim për ndërprerjen e grevës së minatorëve në minierën e Stantërgut është përmbyllur takimi i zhvilluar të martën, prej orës 21 deri në 2 të pas mesnatës, midis kryesisë së Sindikatës e deputetëve të partisë në pushtet.

Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës, theksoi se takimi me deputetët Armend Muja, Arjeta Fejza, Halil Thaçi, Arta Bajralija, dhe me drejtorin e Njësisë për Ndërmarrje Publike në Ministrinë e Ekonomisë, Valon Prebreza, e kryesuesen e bordit, Rrezarta Pllana si dhe anëtarin e tij, Alban Krasniqi, nuk e dha si rezultat largimin e kryeshefit, Enis Abdurrahmani.

Ai tha se para takimit, largimi i tij u ishte premtuar përfaqësuesve të Sindikatës e minatorëve.

“Gjatë orëve në vazhdim, sikur diçka ndërhyri dhe qasja ndryshoi dhe pas njoftimit se ai ka japë dorëheqje dhe do të vijmë në StanTërg për t’ua komunikuar lajmin. Në momentin që kanë ardh, ka qenë krejt një diçka tjetër dhe diçka e papritur me atë se çka jemi dakorduar ne dhe me atë se çka na është thënë përmes telefonit. Për ne ka qenë shumë e paqartë”, ka thënë Januzi.

Januzi theksoi se shkaku që nuk është ofruar garancia për largimin e kryeshefit, është marrë vendim që greva në Stantërg të vazhdojë edhe për të nëntën ditë.

E të martën, menaxhmenti i Trepçës pati vendosur t’ua ndalojë mëditjet e rregullta dhe pagesën për shujtë të gjithë minatorëve që janë në grevë, me justifikimin se ata e bojkotuan punën pa paralajmërim.

Këtë, Januzi e kualifikoi si ndërhyrje direkte nga menaxhmenti.

“Vetëm ky menaxhment siç jeni edhe ju ne dijeni që edhe në muajin gusht edhe tani për muajin shtator ky menaxhment ka vendosë që të ju ndalojë shujtat dhe mëditjet të gjithë atyre që kanë grevuar dhe janë duke grevuar. Prandaj, është një ndërhyrje direkte, është një moment që nuk i kontribuon daljes nga kjo krizë, mirëpo e shtyn dhe e fut sa më thellë këtë problem” ka shtuar ai.

Ndryshe nga ata në Stantërg, minatorët e Artanës dhe Kishnicës të mërkurën i dhanë fund grevës.

Përfaqësues të këtyre dy minierave thanë se vendimi u mor, pasi minatorëve iu premtua përmirësimi i kushteve të punës dhe pagesa me rregull.

“Kanë hyrë me kërkesa, duke iu bashkëngjitur atyre të Stantërgut, por që për dallim kanë qenë një pjesë që nuk i kanë përkrahë, te pika në të cilën ka qenë shkarkimi i kryeshefit, për shkak se kryeshefi ka investuar këtu, i ka ndihmuar shumë flotacionit që kanë qenë gjithherë në të kaluarën të shkelur nga pagat dhe mospërfillja e drejtorëve të mëhershëm”, ka thënë drejtori i Njësisë biznesore në minierat me flotacion Kishnicë dhe Artanë, Fisnik Frangu.

Në nëntë ditët e grevës, gjendja e minatorëve të Stantërgut është keqësuar në vazhdimësi, për çka kanë marrë trajtim mjekësor nga ekipi i Emergjencës.