Partitë politike nuk pritet të bëhen bashkë për të diskutuar lidhur me zhvillimet në vend pas konfirmimit të aktakuzave ndaj katër figurave të UÇK-së nga Specialja. Që nga njoftimi i Dhomave të Specializuara se ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër presidentit Hashim Thaçi, detyrën e kreut të shtetit është duke e ushtruar kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. Me ushtrues detyre është duke funksionuar edhe Partia Demokratike e Kosovës, pasi kryetari i saj, Kadri Veseli, u tërhoq nga të gjitha postet deri në përfundimin e procesit gjyqësor ndaj tij nga Gjykata Speciale.
Paralajmërimin për një takim mes liderëve të partive që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, pesë ditë më parë, e ka bërë kryeministri Avdullah Hoti, pasi një gjë e tillë i është kërkuar nga kryetari i partisë, Isa Mustafa.
Por data për këtë takim ende nuk është bërë e ditur. Drejtoresha e Zyrës për Komunikim me Publikun në Qeverinë e Kosovës, Antigona Baxhaku, përmes një përgjigjeje më shkrim ka thënë se data e takimit deri më sot (e mërkurë) nuk është caktuar. “Deri në këto momente që po komunikojmë nuk ka ndonjë datë të caktuar për një takim të tillë”, është përgjigjur Baxhaku.
Deri më tani, kundër takimit të paralajmëruar është deklaruar Lëvizja Vetëvendosje, kurse partia tjetër në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës, nuk ka bërë ende të ditur qëndrimin e saj.
Por, sipas shoqërisë civile, dakordimi mes partive politike për çështjen e presidentit duhet të kryhet sa më parë. Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se nëse Kuvendi arrin të zgjedhë një president të ri, atëherë do të mund ta përfundonte deri në fund mandatin e tij. Por që një gjë e tillë varet nga vullneti i deputetëve të Kosovës.
“Subjektet politike duhet të veprojnë shumë shpejt për shkak se edhe nëse nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin, atëherë shpallja e zgjedhjeve merr kohë. Nuk e kemi luksin të presim në pafundësi ose deri në prill kur zyrtarisht përfundon mandati tash i ushtrueses së detyrës së presidentes. Nëse subjektet politike të koalicionit kanë emrin për personin që unifikon emrin mund ta hedhin në votim. Ky Parlament nëse arrin ta zgjedhë presidentin, atëherë mandati i tij mundet të vazhdohet deri në përfundim të tij siç janë rregullat. Por gjithçka varet nga vullneti i politikanëve”, thotë ai, derisa shton se zgjedhjet do të ishin mënyra më e mirë, pasi, sipas tij, kthimi i legjitimitetit te qytetarët do të ishte mënyra më e mirë për demokracinë.
Megjithëse është partia e vetme që ka një kandidat të deklaruar publikisht për president, kryetarin e saj, Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e sheh të nevojshme trajtimin e menjëhershëm të kësaj çështjeje.
Anëtari i kryesisë së AAK-së, Gazmend Syla, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se janë të gatshëm për t`u ulur në tavolinë me partitë e tjera për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Aleanca është e hapur për çfarëdo zgjidhjeje dhe sot po qe nevoja për të dialoguar do të marrë pjesë. Situata është e rëndë dhe prioritet aktualisht duhet t’u jepet qytetarëve të vendit. Duke marrë parasysh shifrat e mëdha të të infektuarve me COVID-19, zgjedhjet apo zgjedhja e presidentit mund të presë edhe pak”, ka thënë Syla, përmes një përgjigjeje me shkrim dhënë KOHËS.
Por diskutimet e paralajmëruara për presidentin, janë duke i parë si mundësi për të bërë pazare me këtë post nga Lëvizja Vetëvendosje. Arbërie Nagavci nga kjo parti, të martën në “Interaktiv” ka përsëritur qëndrimin se së pari duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme e më pas të vendoset për kreun e shtetit.
“Në raport me pozitën e presidentit ne e kemi deklaruar se besojmë se fillimisht duhet të ketë zgjedhje të reja. Çdo diskutim për një president apo presidente në këtë konstelacion politik vetëm se e tregon se edhe njëherë po tentohet që të bëhet pazare në favor të personave të caktuar apo grupeve të ngushta të interesit, gjegjësisht partive politike, gjë që nuk do të ishte e mirë për vendin, sidomos në këto kohë në të cilat jemi”, ka thënë Nagavci.
Lidhur me takimin e paralajmëruar nga kryeministri, për çështjen e presidentit të ri dhe zgjedhjeve, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga partitë e tjera. Por zyrtarët e PDK-së e të Nismës kanë qenë të paqasshëm gjatë së mërkurës.
Në ditën kur është bërë e ditur se Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, ai ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit. Detyrën menjëherë e ka marrë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Por koha sa Osmani mund të mbajë këtë post është e kufizuar. Pika e tretë e nenit 90 të Kushtetutës së Kosovës përcakton se “posti i ushtruesit të detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”.
Në anën tjetër, mandati pesëvjeçar i presidentit të Kosovës përfundon në prill të këtij viti. Por sipas Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se një muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Dështimi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës shpërndan Kuvendin dhe dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë, dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet president i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh”, përcaktohet në nenin 86 të Kushtetutës.