Arbëri

Tahiri thirrje Prokurorisë: Përgjegjësit për zhdukjen e mostrave të Deharit të vihen para drejtësisë

Shefi i Grupit Parlamentar te PDK-se, Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të vihet para drejtësisë “secili zyrtar shtetëror që ka gisht në zhdukjen e provave të Astrit Deharit dhe në kthimin e pjesshëm dhe prëfundimtar të tyre”. 

“Më 29 mars 2024 opinioni publik u informua për gjejten e mostrave të Astrit Deharit, vdekja dhe fatkeqësia e të cilit në rrugën e zbardhjes së saj, këto tri vjetët e fundit, nën pushtetit e Albin Kurtit, u vështirësua dhe u mjegullua padrejtësisht dhe në mënyrë misterioze. Zhdukja e mostrave, gjetja e pjesshme apo e plotë e tyre, për secilin rast, është përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe nuk mund të tejkalohet me lehtësi sikur nuk ka ndodhur asgjë”, ka thënë Tahiri. 

Tahiri tha se uron që "Prokuroria të marrë hapa të menjëhershëm për të vënë para drejtësisë përgjegjësit". 

“Në dhjetor të vitit 2022, u publikua lajmi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe askush nuk dha përgjegjësi politike që në zyrat shtetërore u zhduken mostrat e këtij rasti. Megjithatë përmasat e tragjedisë u zgjeruan e u thelluan, e pyetjet që mbetën pa përgjigje u shtuan kur, nga njëra anë, po në mars të vitit 2023 u gjetën një pjesë e mostrave të Astrit Deharit, pra u gjetën mostrat e lukthit dhe të urinës, por mungonin epruvetat e mostrave të gjakut. Ndërkohë, në 21 nëntor 2023 kur zyrat e IML-së i kaploi zjarri i dytë, 4 muaj më pas u gjetën edhe mostrat e gjakut”, ka thënë Tahiri, që shtoi se menjëherë pas zjarrit të dytë në IML inicioi me urgjentë themelimin e komisionit hetimor parlamentar. “Jo rastësisht, për 4 muaj me radhë, ky pushtet është duke e refuzuar themelimin e këtij komisioni. Sot, do t’i ngremë disa pyetje ndaj të cilave kryeministri Kurti, kryeparlamentari Konjufca dhe ministrja e Drejtësisë është e domosdoshme që t’ju japin përgjigje, sepse nuk janë thjeshtë pyetje tonat si parti opozitare por janë pyetje që i shtron secili qytetarë”, tha Tahiri. 

Tahiri u ka shtruar disa pyetje pushtetarëve.

“Duke qenë bartës të pushtetit në funksionet më të larta shtetërore, ata duhet të na tregojnë se kush i mori dhe zhduki mostrat e Astrit Deharit dhe a dihet se kush i ktheu? Ku ishin këto mostra dhe për çfarë qëllimi u vodhën nga IML-ja? Zhdukja e këtyre mostrave për një vit e gjysmë a ishte një alibi e pushtetit për ta penguar hetimin penal dhe zbardhjen e vdekjes tragjike të Astrit Deharit? Nëse kryetari i Kuvendit dhe kryeministri kanë pasur dijeni për zhdukjen e këtyre mostrave në pranverën e vitit 2022 si ndodhi që ministrja e Drejtësisë njoftoi qytetarët e Kosovës me gjashtë muaj vonesë, në një konferencë për media në dhjetor të atij viti? A ishte rastësi gjetja e një pjesë të mostrave të Astrit Deharit në mars të vitit 2023 dhe zjarri i parë po ashtu në mars i zyrave të IML-së? A ishte rastësi zjarri i dytë i zyrave të IML-së përmes të cilit ishte shkatërruar sistemi i kamerave dhe për katër ditë me radhë nuk kishte fare vëzhgim të dhomës së dëshmive, pra të dhomës ku mbahen mostrat e rasteve që i trajton ky institucion? A u shfrytëzua ky interval kohor prej katër ditëve kur nuk kishte kamera në IML që mostrat, e raportuara si të gjetura në këtë javë, të kthehen ato ditë në dhomën e dëshmive? A është i qëllimshëm raportimi me 4 muaj vonesë i gjetjes së pjesës tjetër të mostrave të Astrit Deharit?”

Tahiri ka thënë se këto pyetje meritojnë përgjigje. Ai ka thënë se duhet të ketë një epilog nga hetimi penal i Prokurorisë së Kosovës. 

Tahiri po ashtu ka thënë se duke u thirrur në protokolle po kërkohet asgjësimi i mostrave të papërdorshme. 

“I kërkojë edhe njëherë Institutit të Mjekësisë Ligjore të mos bjerë pre e lojërave të ndyta të kësaj qeverie. Nuk duhet asgjësuar, pasi përbëjnë problem më të madh. Këta thirren në protokolle me i asgjësuar provat, por një gjë e tillë nuk duhet ndodhur”, ka thënë Tahiri.


Tahiri përsërit thirrjet për zgjedhje më 9 qershor: Kurti të mos frikësohet

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka përsëritur thirrjet që të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë më 9 qershor. 

“I bëjmë thirrje kryeministrit dhe qeverisë të mos frikësohen, e t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së PDK-së që më 9 qershor të organizohen zgjedhje të parakohshme në Republikën e Kosovës. Këto zgjedhje janë nevojë për vendin tonë, për nxjerrin e vendit nga kriza, nga sanksionet. Janë nevojë për agjendën zhvillimore për vendin tonë. S’kemi asnjë dyshim, mandatin për të themeluar qeverinë e re të Republikës së Kosovës do ta ketë mandatari nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza”, ka thënë Tahiri.