Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se strukturat joformale parapolitike janë vendimmarrëse në Qeverinë Kurti, duke u shprehur se ato po vendosin për paratë e taksapaguesve të Kosovës.
Sipas Tahirit, nëpërmjet pazareve po mundohet që paraja publike dhe korrupsioni të instalohet si e mirë publike.
“Të gjitha veprimet e njëpasnjëshme janë duke shpërfaqur që kjo Qeveri ka ardhur në pushtet me mashtrim. Kosova ka ardhur në një stad ku struktura joformale po diskutojnë se ku duhet të ndalet rryma e kur jo. Është e papranueshme që parapolitika të ketë në dorë secilën ministri e ndërmarrje publike”, është shprehur deputeti i AAK-së.
Sipas Tahirit, është me rëndësi të diskutohet për shlyerjen e borxheve të ambalazhuesve.
“Nuk duhet të jetë asnjë paqartësi se mbi çfarë baze është përllogaritur e shlyer borxhi. Ne jemi në muajt e fundit të këtij Kuvend”, ka thënë ai, duke akuzuar pushtetin se s’po del të ballafaqohet në Kuvendit pasi “s’ka argumente”.
“Kjo Qeveri do të ikë më 9 shkurt për shkak se e ka tradhtuar besimin qytetar”, ka thënë ai.
Deputeti Haki Abazi ka deklaruar se veprimet e zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalit, nuk janë të rëndësishme.
“Më kujtohet në votimet e fundit të deputetëve për Bord të RTK-së me urdhër të Dejona Mihalit, LVV i kishte dhënë 30 poena kandidatit serb dhe 5 poena Shukrije Ramës. Nuk janë të rastësishme këto veprime. Nuk di se çfarë tjetër duhet të ndodhë për të parë që vendimmarrja ka dalë jashtë institucioneve. I bëj thirrje prokurorisë ta shohë nga afër dhe të marrë në pyetje prapë Dejona Mihalin”, ka deklaruar Abazi.
