Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se shpërbërja e Kuvendit mund të ndodhe vetëm pas shkarkimit ose dorëheqjes së kryeministrit albin Kurti.
“Shpërbërja e parlamentit mund të ndodhë vetën atëherë kur kryeministri shkarkohet ose dorëhiqet”, ka thënë Tahiri të martën.
Ai në një deklarim për media, ka thënë se në takimin në mes të Kurtit e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, që u mbajt të hënën në mbrëmje, nuk është diskutuar për agjendën legjislative.
Sipas Tahiri nuk është problem bllokimi i 300 milionë eurove nga mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, por se si “Kurti ta gjejë një dalje, që t’ia mundësoi opozita, në mënyrë që atij t’i mundësohet amnistia”.
“Ne sot jemi në ditën kur në Strasburg ambasadorët diskutojnë a me hy Kosova a jo në agjendën për anëtarësim. Një ditë para se të vendoset para anëtarësimit të Kosovës ai merret me zgjedhje. Me të vetmen arsye me mbulu një marre”, ka deklaruar Tahiri.
AAK-ja refuzoi të shkonte në takimin që Kurti e thirri për të diskutuar “për agjendën legjislative”.
Tahiri ka theksuar se AAK-ja nuk ka arsye për të mos u takuar me Kurtin, vetëm se sipas tij, duhet të dihet tema për të cilën ftohet takimi.