Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka akuzuar qeverisjen katërvjeçare të Albin Kurtit për dështime dhe skandale.
Sipas tij, qeveria aktuale ka shënuar rekorde për shkelje të Kushtetutës.
Në seancën plenare që po mbahet në Kuvend, ku Tahiri ka prezantuar projektrezolutën për katër vjet qeverisje, ai ka thënë se Kurti duhet të japë përgjigje për shumë cështje.
“Ky kryeministër ka sjell një ekspoze, një pamflet me gjuhë të thatë, dhe tash po dëshmohet që kjo ka mbetur vetëm një listë dëshirash… në hyrje të debateve do të doja t’i theksoja dështime dhe skandale, e para kjo qeveri është rekorde për shkelje të Kushtetutës, skandali i dytë ndërlidhet me ndër problemet dhe korruptive të tenderëve një burimor, çështja e tretë lidhet me skandalin e ambasadorit Martin Berishaj për të cilën qeveria duhet të deklarohet nëse ka qenë në dijeni, çështja e katërt ndërlidhet me skandlin në KEK, ku Nagip Krasniqi ka një aktakuzë, e tutje ndërlidhet me blerjen e energjisë, e sot kryeministri duhet t’u tregojë qytetarëve sesi u fal borxhi i ujit, si ndodhi skandali në RTK, e duhet të tregojë sesi e humbi rastin me ‘Counter Global’. Kryeministri duhet të tregojë për çështjen e pagës minimale a është koordinuar me Raidoçiqin. Kryeministri duhet na tregojë pse i ka premtuar 160 çerdhe, ndërsa katër janë të funksionalizuar, të na tregojë pse nuk u bën sigurimin shëndetësore, ku janë banimet për çifte, ku është punësimi, ku është lufta ndaj korrupsionit”, ka thënë Tahiri.
Kadrijaj-Kurtit: Jeni në rënie të lirë

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për keqpërdorim të shtetit.
Sipas saj, pavarësisht keqpërdorimeve të deritanishme, kjo qeveri tani është në rënie të lirë.
“Pse nuk e zbardhe rastin e Astrit Deharit? I ke falur tokat e Manastirit të Deçanit. Asnjë rrugë s’ke qenë në gjendje ta shtrosh. Keni vjedhur aty ku nuk duhet, e keni goditur Ushtrinë e Kosovës. Sot ushtarët e Kosovës nuk kanë uniforma, hanë bukë e pashtetë. Keni vjedhur edhe për rezerva shtetërore. E ke shfrytëzuar buxhetin për t’i rehatuar hallat e tezet. E keni keqpërdorur shtetin, por jeni në rënie të lirë tani”, ka thënë Kadrijaj.
