Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se dialogu i Brukselit “ka vdekur”.
Tahiri duke folur për “KosovaPress” ka thënë se vetë fakti se që nga arritja e marrëveshjes së Ohrit nuk ka pasur asnjë zbatim “i bie që dialogu ka vdekur”.
Tahiri madje ka thënë se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, “janë shkarkuar”.
“Dialogu i Brukselit ka vdekur. Vet fakti që prej vitit të kaluar, prej marrëveshjes së Ohrit s’ka pasur asnjë zbatim, kjo i bie që dialogu ka vdekur. Plus këta dy ndërmjetësuesit Borrell dhe Lajçak u shkarkuan më herët, atëherë kur dialogu kalojë në duart e të mëdhenjve, kancelarit Olaf Scholz, presidentit Emmanuel Macron dhe kryeministres Giorgia Meloni. Këta kanë qenë të shkarkuar, por nuk e bënë të njohur, pasi BE-ja kur ka probleme nuk i bënë publike dhe tash pas zgjedhjeve do të vijnë tjerë”, tha Tahiri.
Duke folur për mundësitë që ish-presidenti slloven, Borut Pahor, të zëvendësojë Lajçakun, Tahiri thotë se ai është politikan serioz dhe se Sllovenia është përkrahëse e Pavarësisë së Kosovës.
“Nuk është kohë të analizojmë, por mendoj se Sllovenia ka qenë përkrahëse e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Pahor është një politikan serioz. Fundja ku të shkon si ndërmjetësues ai do të veprojë si përfaqësues i BE-së dhe do të sillet si i tillë”, thekson Tahiri.
Tahiri po ashtu ka thënë se është optimiste se do të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Tahiri: Kurti ta shpjegojë pse Serbia mbeti e pa ndëshkuar për Banjskën
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, të shpjegojë arsyen se si është e mundur që Kosova të sulmohet nga Serbia e të sanksionohet nga BE-ja e qortohet nga SHBA-ja, ndërsa Serbia si agresore të mbetet pa u ndëshkuar.
Ajo ka thënë se Kurti duhet ta shpjegojë se si Serbia nuk u ndëshkua për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Ajo ka akuzuar kryeministrin Kurti edhe për “prishje të marrëdhënieve me SHBA-në”.
“E para është që ne u sulmuam në Banjskë nga Serbia agresore, çfarë na ndodhi? Kosova u ndëshkua, Serbia nuk u ndëshkua. I ka takuar Kurtit dhe qeverisë të dalë dhe t’i shpjegojë popullit të Kosovës si u bë që edhe të sulmuar edhe të ndëshkuar pra, Serbia sulmues e pa ndëshkuar. Këtë shpjegim zyrtar i takon ta bëjë Kurti para popullit të Kosovës. E dyta çështja tjetër është që Kurti prishi marrëdhëniet me Amerikën duke mos u koordinuar për as një prej këtyre çështjeve të vogla që ka pasur, jo targat, jo tash dinari, pastaj është çështja e zgjedhjeve në veri që ishin legale, por nuk ishin legjitime. Dhe u desh Kurti të koordinohej mirë me partnerët amerikanë...Ky doli nga pozitat antiamerikane që nuk e din pse i ka këto pozita antiamerikane. Por sigurisht janë të dëmshme për shtetin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka thënë se amerikanët bëjnë aleancë më të mëdhenjtë dhe jo me të vegjlit. Sipas saj, në këtë rast “Kurti është i vogël”.
“Mua më vjen mirë që amerikanët e bënë të qartë që nuk jemi të prishur me popullin e Kosovës, por jemi të prishur me qeverinë e Kosovë. Me këtë rast me qenë që unë kam qenë ministre e Jashtme e Kosovës në kohën e okupimit dhe jam një prej njerëzve kryesor që e kam mbërri aleancën strategjike me Amerikën, po ju them një fjalë, amerikanët bëjnë aleancë me të mëdhenjtë, me ne si figurat siç isha unë, Rugova e Agani, nuk i prishin me të vegjël, se Kurti është i vogël”, ka thënë ajo./EO