Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se injorimi që është bërë nga sekretari Antony Blinken, është mesazh i qartë për presidenten Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurtin.
Ai ka thënë se është konferenca e parë e Mynihut që liderët e Kosovës të mos takohen me figura të larta të SHBA-së.
Sipas tij është mesazh i keq që Antony Blinken ta takojë para takimit të 27 shkurtit presidentin Aleksandar Vuçiq e jo kryeministrin Albin Kurti.
“Është shqetësuese që drejtues të shtetit janë duke u injoruar nga Departamenti i Shtetit dhe nga sekretari Blinken. Është hera e parë që drejtues të shtetit nuk arrijnë me u taku me drejtues të niveleve të larta të Departamentit të Shtetit. Ne nuk e dimë se si ka rrjedhë procesi për dy vite. Po flasim për një marrëveshje tranzitore që do ta caktojë një status-quo të re dhe krejt kjo ka ardhur në kuadër të kryeministrit Albin Kurti”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se për ta është shqetësues pozicioni aktual që Kosova e ka në këtë proces e karshi aleatëve.
“Ka kaluar mbi një dekadë angazhimi në dialog dhe përfundimi do të duhej të ishte një njohje reciproke por tash po flasim për një status-quo të re. Na shqetëson fakti që nuk po e mbyllim çështjen me Serbinë por po e lëmë të hapur”, ka thënë ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se lidhur me dialogun Kosovë-Serbi po zhvillohet një proces i cili ka dy faza.
Sipas saj, e para është për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e dyta është zbatimi i marrëveshjeve të kaluara.
Ajo ka thënë se përderisa ka dialog, në këtë proces ka dinamikë që palëve mund të ju duket ndryshe.
“E rëndësishme është të vazhdohet dialogu”, ka thënë ajo derisa ka komentuar edhe raportet me SHBA-në.
Ajo ka thënë se Kosova dhe SHBA-ja kanë raporte siç duhet të jenë mes dy partnerëve strategjikë.
Ajo tutje ka njoftuar se seanca e radhës do të jetë më 22 shkurt me fillim nga ora 12.
Ka shtuar se do të shqyrtohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara. Ndërkaq ka thënë se seanca e re do të mbahet më 23 shkurt, te enjten. Ajo ka thënë se do të shqyrtohen tri marrëveshjet nga procesi i Berlinit.
Kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se partia e tij ka kërkuar debat parlamentar për dy vjet qeverisje.
“Në rezolutën do të kërkojmë që me rishikim vlera e koeficientit të kthehet në atë që kem kërkuar në 129 euro”, tha ai.