Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se ligjin për Fondin Sovran që u miratua të premten në Kuvend do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Tahirit, me këtë ligj do të krijohet strukturë burokratike që e dëmton buxhetin e shteti si dhe cenon vlerën kushtetuese të sundimit të ligjit.
“Me këtë ligj, mëtohet të krijohet një megastrukturë burokratike që dëmton buxhetin e shtetit, krijon pasiguri juridike dhe mbi të gjitha cenon vlerën kushtetuese të sundimit të ligjit, sepse në organizimin dhe funksionimin e tij, nuk do të zbatoj as ligjin bazik për ndërmarrjet publike, as ligjin e punës, as të prokurimit publik por do të qeveriset sipas tekeve të ekspertëve të shitur”.
“Ky ligj, qindra miliona euro koncentron në duart e një grupi të pushtetit, ndërsa mijëra punëtorë të ndërmarrjeve rrezikojnë të mbesin në rrugë, duke i zëvendësuar me militantë partiak e me familjarë të pushtetarëve. Prandaj, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, ku me argumentet juridike do të angazhohemi për ta rrëzuar edhe këtë ligj, që bazën ideologjike e ka në ekonomitë komuniste”.
Tahiri, mes tjerash, bëri të ditur se pranë Kushtetueses do ta dërgojnë edhe shkarkimin e anëtarit të Këshillit Prokurorial, Agron Beka.
“Ndërsa dje shumica parlamentare, po ashtu, pas një cirku votimesh, miratoi edhe shkarkimin e anëtarit të Këshillit Prokurorial nga radha e profesorëve univeristar, Prof. Dr. Agron Beka dhe ky vendim paraqet përpjekjen e radhës për të bllokuar këtë institucion të pavarur kushtetues, që më pas ta kapin dhe nënshtrojnë. Edhe ky vendim përbën cenim arbitar të pavarësisë dhe punës së KPK-së, dhe si grup paralamentar, ashtu siç jemi angazhuar në raste të tjera, edhe kësaj radhe nuk do të lejojmë prishjen e parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve duke e dërguar të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese” ka shkruar Tahiri në Facebook.