Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti amator dhe mashtrues klasik.
Derisa ka përmendur kërkesën e Kurtit që ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit për vlerësim në Komision të Venecias, Tahiri ka thënë se kryeministri po kërkon nga Lajçaku e BE-ja që të shërbejnë si zëdhënës të qeverisë së tij.
“Kryeministri Kurti në kërkim të një rrugëdalje nga qorrsokaku ku ka hyrë vetë dhe ku e ka futur Kosovën me temën e draftit të Asociacionit, me pasoja lënien e vendit në paradhomë të pritjes për anëtarësim në KiE, po kërkon që BE-ja dhe Lajçaku të shërbejnë si zëdhënës të qeverisë së tij, duke sugjeruar që ata mund ta qojnë draftin në Komisionin e Venecias. Ky është amatorizëm dhe mashtrim klasik”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Sipas Tahirit, Kurti përfaqëson “një zero të madhe në lidership”.
“Kurti duhet ta dijë që në emër të Republikës së Kosovës, asnjë palë e tretë nuk mund dhe nuk ka mandat të dërgojë akte për shqyrtim. Por ajo që fshihet prapa rreshtave është që Kurti përmes përdorimit të emrit të BE-së në raport me Venecia, po paralajmëron që do të ketë një draft i cili mund të përfundojë në këtë Komision. Pse nuk e pyet veten ky njeri, deri kur dhe deri ku do të vazhdojë të qeverisë pa asnjë guxim që kërkon pozita ku është ulur. Thjesht, ky njeri përfaqëson një zero të madhe në lidership”, ka shtuar ai.